Reformat në shërbimet e sigurisë, Holub: Kontroll të shpejtë mbi organet e sigurisë
Funksionimi i shtetit juridik dhe kontrolli mbi organet e sigurisë janë faktorë kyç....

Funksionimi i shtetit juridik dhe kontrolli mbi organet e sigurisë janë faktorë kyç në garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, tha kreu i kuvendit, Talat Xhaferi, gjatë promovimit të publikimit “Udhëzime për mbikëqyrje të zbulimit”.
Edhe nga BE vlerësojnë se mbikëqyrja e organeve të sigurisë është kyçe. Ata u kërkojnë deputetëve t’i përvishen punës për reforma që të mos përsëriten keqpërdorimet e ngjashme me përgjimet e paligjshme të vitit 2015.
“Tani është koha për ndryshime edhe në kuvend. Tani është fat që ju si deputetë që jeni pjesë e Komisionit, keni një armë të vlefshme në duar, ndërsa ato janë udhëzimet që i promovojmë sot, në të cilat parashihet korniza ligjore dhe qëndrimet e anëtarëve të parlamentit të cilat mund t’i ndihmojnë parlamentit në kontroll të rregullt dhe efektiv, që do t’i pengonte problemet e theksuara. Është shumë e rëndësishme që të vendoset mbikëqyrje mbi DSK-në dhe ATO-n edhe atë shpejt”,- tha përfaqësuesi i KE-së, Lukash Holub.
XHAFERI: KONTROLLI I ORGANEVE, ÇËSHTJE E SIGURISË KYÇE
“Standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimin e së drejtës, imponojnë që puna dhe autorizimet e këtyre shërbimeve të definohet me ligje të qarta dhe lehtë të kuptueshme. Kushti i dytë është kontroll i zhvilluar dhe efikas parlamentar mbi këto sektorë”,- tha kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
DIMITRIEV: NEVOJITET KYÇJA E EKSPERTËVE
Kreu i Komisionit parlamentar për punën e ATO-s, Emil Dimitriev, kërkoi angazhimin e ekspertëve të fushës që do ta sugjeronin Komisionin Parlamentar për një proces efikas monitorimi.
“Ai që vijon tani si hap i radhës dhe për të cilin apeloj deri te strukturat udhëheqëse të Kuvendit është që më në fund të miratohet buxheti për angazhim të ekspertëve që do të jenë në mbështetje të komisionit. Komisioni përbëhet nga persona me prapavijë politike. Ata në të kaluarën kanë punuar në profesionet e tyre, megjithatë nuk janë aq ekspertë dhe të fushës për të bërë kontroll cilësor”,- tha kryetari i Komisionit për Monitorimin e Ndjekjen e Komunikimeve, Emil Dimitriev.
Për sektorin civil roli i qytetarëve në punën e organeve të sigurisë është i kufizuar. Sipas tyre, komisioni parlamentar për mbikëqyrje të këtyre organeve do të duhej të shërbente si lidhëz midis tyre dhe organeve në fjalë. Debati u organizua nga Qendra për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura në Gjenevë, DCAF. (Naim Ramadani, TVM2)
