Mësimi interaktiv në dy shkolla deri në klasën e 9
Ministria e Arsimit, do të financojë të gjitha shpenzimet të lidhura me aplikimin e Programit Ndërkombëtar IB........

Për të flakur mënyrat klasike nga procesi mësimor-mësimdhënie para tabelës, gati një vit nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë në dy shkollat fillore në Shkup, “Vëllezërit Milladinovci” dhe “Kirili dhe Metodi”, mësimin e zhvilluan me anë të Programit Ndërkombëtar IB, që nënkupton mësim dhe fitim të njohurive përmes mësimit praktik dhe interaktiv.
Nga shtatori, këtë reformë do ta zbatojnë edhe nxënësit e klasës së 6 deri në klasën e 9 në shkollat e lartpërmendura, por nga Ministria e Arsimit nuk e mohojnë mundësinë për aplikim të kësaj metode edhe në shkollat e tjera.
“Gjithsej do të përfshihen afër 820 nxënës nga të gjitha klasat në këto dy shkolla, por varësisht nga interesi i shkollave të tjera, ekziston mundësia që gjatë periudhës së ardhshme këtë reformë ta zbatojnë edhe shkollat e tjera nga komunat e vendit”- deklaroi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski.
Ministria e Arsimit, do të financojë të gjitha shpenzimet të lidhura me aplikimin e Programit Ndërkombëtar IB, si aplikimin dhe anëtarësimin në Organizatën Ndërkombëtare IB, si dhe trajnimin e kuadrit të mësimdhënësve, ndërkohë prindërit janë të liruar nga çdo pagesë. Ky program zbatohet në 3500 shkolla private të vendeve anëtare të BE-së. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)
