Socialdemokratët dhe të gjelbrit, amendamente për Gruevskin në PE

23.11.2018 18:49

Grupi i socialdemokratëve dhe të gjelbërve evropianë kanë parashtruar amendamente....

Grupi i socialdemokratëve dhe të gjelbërve evropianë kanë parashtruar amendamente për arratisjen e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, në raportin për Maqedoninë, për të cilin Parlamenti Evropian do ta votojë më 29 nëntor.

Në Amendamentin e socialdemokratëve thuhet se: “Besojnë se proceset ligjdhënëse të Maqedonisë duhet të vazhdojnë në pajtim me procedurat në vend dhe Gruevski duhet të përgjigjet para sistemit gjyqësor të Maqedonisë. Po ashtu i bëjnë thirrje Hungarisë, si vend anëtar i BE-së, ta respektojë sundimin e së drejtës, i cili është parim themelor i BE-së për të gjitha vendet anëtare dhe vendet kandidate në mënyrë të barabartë, dhe ta ekstradojnë Gruevskin në Shkup. Në një amendament tjetër ata kërkojnë që në raport gjithashtu të potencohet se “në proces gjyqësor transparent”, Gruevski është dënuar nga gjykatat e Maqedonisë për keqpërdorim të funksionit me dy vite burg, se shumë gjykata e kanë konfirmuar aktvendimin dhe vendimi ka hyrë në fuqi pasi i kanë shfrytëzuar të gjitha të drejtat e ankimit, si dhe se akuzohet në katërt lëndë të tjera penale në të cilat ai është i involvuar dhe janë në vijim.

Sa i përket amendamentit që është parashtruar nga Judit Sargentin, raportues i Parlamentit Evropian, për sundimin e së drejtës në Hungari: Ai u bën thirrje autoriteteve hungareze t’i japin të gjitha informacionet relevante dhe shpjegimet përkatëse lidhur me rastin e Gruevskit, i cili u arratis nga vendi me mbështetje të fshehtë diplomatike nga Hungaria në mënyrë që ta shmang dënimin me burg.