Maqedoni
Deri në fund të vitit, ndërtohen 14 kopshte të reja
13.08.2014 15:46
Qeveria e Maqedonisë, deri në fund të këtij viti do të ndërtojë 14 kopshte të reja në tërë territorin e vendit...
Plani aksionar, i përgatitur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, u miratua sot në seancën qeveritare dhe i njëjti përfshin ndërtimin e objekteve të reja të çerdhes, zgjerimin e objekteve ekzistuese dhe furnizim me të gjitha pajisjet e nevojshme të kopshteve në 13 Komuna, ku përfshihet edhe Komuna e Sarajit dhe e Likovës.
“Bëhet fjalë për ndërtim të 14 çerdheve të reja në 13 Komuna edhe atë në: Dojran, Demir Kapi, Vasilevë, Bosilevë, në fshatin Monspitovë, Koçan, Orizare, Vinicë, Karbin, Krivogashtanë, Dibër, Gjorçe Petrov, Likovë, Saraj dhe dy çerdhe të reja janë paraparë të hapen në Komunën e Kisella Vodës. Në këtë projekt, Qeveria e Maqedonisë po paraqitet në një pjesë të madhe si financues i këtyre çerdheve, por në disa Komuna, financimi bëhet edhe me Qeverinë Lokale”- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev.
Projekti për ndërtimin e 14 çerdheve të reja, peshon rreth një milion euro, ndërsa me hapjen e këtyre çerdheve, do të mundësohet përkujdesje e 750 fëmijëve.
REXHEP QAMILI
