Propozim-buxheti i vitit 2019, Miftari: Vazhdon diskriminimi te rajonet shqiptare; Xhaferi: Tatimi progresiv, jo i duhur
Buxhetin e propozuar nga qeveria njohësit e çështjeve ekonomike e vlerësojnë më tepër si buxhet social, e jo zhvillimor...

Profesoresha universitare Florije Miftari shprehet skeptike sa i përket realizimit të investimeve kapitale për vitin e ardhshëm për shkak të mos realizimit në kohë të projekteve të planifikuara. Sipas saj diskriminimi i investemeve në rajonet ku gravitojnë shqiptarët, vazhdon edhe në këtë buxhet.
“Gjykuar në bazë të aspektit gjithpërfshirës së politikave të zhvillimit por edhe zhvillimit rajonal të vendit nuk do të ishim pajtuar me këtë shpërndarje, akoma po vazhdon periudha e diskriminit të investimeve ne rajonet ku gravitojnë shqiptarët edhe pse është pak vështirë për tu theksuar në mënyrë më detale për shkak të jotransparencës së plotë buxhetore posacërisht në pjesën e investimeve kapitale”, u shpreh profesoresha universitare Florije Miftari.
Profesori universitar Seadin Xhaferi ka kritika për modelin e ri të tatimimit. Sipas tij me tatimin progresiv do të zvoglohen investimet e huaja dhe do të ketë një hapsirë më të madhe të evazionit fiskal.
“Un gjykoj se në vendin tonë akoma nuk janë pjekur kushtet për një tatim progresiv nga shkaku se kjo më tepër do ju tangojë politikavë për të cilët do të paraqitën si barazues të vetë cështjeve sociale ndërsa në anën tjetër nuk do të jetë ashtu. Gjykoj se me të vërtete do të zvoglohen investimet e huaja si dhe do të ketë një hapsirë më të madhe për evazionin fiscal”, theksoi profesori universitar Seadin Xhaferi.
Nga ana tjetër krijuesit e politikave ekonomike paralajmërojnë një moment kthese në politikat ekonomike me ndryshimet buxhetore për vitin 2019. Me buxhetin më të lartë ndonjëherë të projektuar ku janë paraparë të shpenzohen 3.7 miliardë euro ata presin rritje ekonomike, drejtesi sociale dhe jetë më të mirë për të gjithë. Sipas propozim buxhetit të vitit 2019, rritja ekonomike parashikohet të jetë 3.2%, borxhi publik do të rritet për 600 milion euro dhe do të arrijë në 54.2% të PBB dhe do të financohet nga tregjet e brendshme dhe të jashtme të letrave me vlerë. Pritet gjithashtu që reforma e pensioneve të kontribuojë në stabilizimin e sistemit të pensioneve, dhe uljen e deficitit në fondin pensional, pa rritur moshën e pensionit.
GAZMEND KURTISHI
