Maqedoni

13 vite nga nënshkrimi i Marrveshjes së Ohrit

13.08.2014 17:42

Politikanë, diplomatë dhe analistë debatuan sot mbi rëndësinë e këtij dokumenti dhe nivelin e zbatueshmërisë së tij 13 vite pas nënshkrimit...

Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, parashtroi dilemat me të cilat ndeshet dokumenti paqësor në mënyrën e interpretimit të ndryshëm nga pala maqedonase dhe ajo shqiptare.
 
Fotografinë e vërtetë të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, mund ta fitojmë vetëm nëse bëjmë analizë cilësore se sa ka arritur ajo si dokument të ndërton besimin e qytetarëve shqiptarë në institucionet e sigurisë dhe jurisprudencës, theksoi Xhaferi.
 
“Nuk mund të presim progres në përhapjen aktive të kornizës e cila e stimulon marrëveshjen, përderisa njëra palë e trajton si përfitim, ndërsa pala tjetër si një e keqe e domosdoshme. Dua të ndërtojmë një vizion të përbashkët për atë se çfarë parasheh ky dokument dhe deri ku shoqërinë tonë e prek fryma e saj, nëse implementimi i saj është në mënyrë paralele”- deklaroi zëvendëskryeministri për MO, Musa Xhaferi.
 
“Integrimet Euroatlantike dhe implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, në fakt këto dy procese janë një, janë pjesë e një tërësie ashtu siç mund të llogariten se janë dy anë të të njëjtit medial”- theksoi zëvendëskryeministri i Eurointegrimeve, Fatmir Besimi.        
                                                                                                                 
Sipas ish-kryeministrit, Vllado Buçkovski, Marrëveshja e Ohrit nuk i ka dhënë efektet e pritura.
 
“Maqedonia, sot po ndeshet me probleme serioze të një ndasie shoqërore ku dominojnë dy komunitete, ajo maqedonase dhe shqiptare dhe të jepet përshtypja që ne para 13 vitesh krijuam dokument që i respekton të drejtat vetëm të maqedonasve”- u shpreh ish-kryeministri, Vllado Buçkovski.    
                                   
Vllado Popovski, theksoi se MO nuk duhet të shihet si një dokument me detyra të cilat duhen të përmbushen. 
 
Ndërsa Naser Zyberi, tha se edhe përkundër ndryshimeve pozitive nga kjo marrëveshje, vërehen ende shumë ngecje në implementimin e saj.
 
“Marrëveshja e Ohrit, nuk ka dilemë rreth definicionit, ai definicion nuk është i ndërlidhur me kategorinë e shënimeve me detyra dhe me afate, por bëhet fjalë për definicion i cili në mënyrë eksplicite dëshmon që është kornizë për një demokraci të përshtatshme, që do të determinonte në një shoqëri harmonike, qytetare”- potencoi analisti, Vllado Popovski.    
               
“Padyshim që Marrëveshja e Ohrit ka të arritura të jashtëzakonshme në transformimin e Maqedonisë në një shoqëri tjetër më stabile, më perspektive, por padyshim që ka edhe shumë ngecje, implementim jokualitativ dhe sidomos mungesë të futjes së frymës së MO-së në funksionimin e institucioneve shtetërore”- tha analisti, Naser Zyberi. 
 
Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar më 13 gushtit të 2001-ës, kurorëzoi fundin e revoltës së shqiptarëve për të drejta të barabarta, pas bisedimeve disa mujore të filluara në Shkup, e që vijuan në vilën “Biljana” në Ohër.
 
Korniza u firmos nga ish-presidenti, Boris Trajkovski, ish-kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministri, Lubço Georgievski, ish-kryetari i PPD-së, Imer Imeri, ish-kryetari i PDSH-së, Arbën Xhaferi dhe kryetari i atëhershëm i LSDM-së, Branko Cërvenkovski.
 
Marrëveshja e Ohrit u ndërmjetësua nga përfaqësuesit e posaçëm të BE-së dhe SHBA-së, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju, të cilët bartën edhe rolin e garantuesit. 
 
ZEJXHANE OSMANI