Maqedoni

Analistët: zbatimi i MO-së ka hasur në vështirësi

13.08.2014 17:58

Analistët politik nga Shqipëria dhe Kosova, vlerësojnë se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në këto 13 vite ka shënuar një bilanc pozitiv, por me shumë vështirësi...

Sipas analistit nga Shqipëria, Tritan Shehu, për të zbatuar këtë dokument, bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve mes partive politike, veçanërisht mes atyre shqiptare, është më se i domosdoshëm. 
 
“Denigrimi në një luftë politike, të çon vetëm në humbës të mëdhenj. Në këtë rast, të gjithë plagosen kaq shumë sa që arrihet një moment që elektorati humb besimin në tërësi, partitë firmëtare humbin influencën mbi njerëzit, pra rrezikohet vetimplementimi i atij dokumenti. Kështu askush nuk mund të parashikojë se në çfarë influencash elektorati mund të bjerë dhe në çfarë drejtimesh ai mund të orientohet, gjë që dëmton edhe procesin e integrimit”- deklaroi analisti, Tritan Shehu.
 
Ndërkaq, analisti nga Kosova, Dugagjin Gorani, thotë se zbatimi gjysmak i marrëveshjeve të llojit të Marrëveshjes së Ohrit, është më i rrezikshëm se sa moszbatimi i tyre.
 
Sipas tij, përvoja në rajon po dëshmon se zbatimi gjysmak po rrit edhe më shumë stereotipat dhe mosbesimin mes bashkësive etnike, por edhe përçarje brenda bashkësive etnike.
 
Është paradoksale që në Maqedoni duhet të zbatojnë një Marrëveshje mbietnike subjektet që kanë fituar pushtetin në bazë të politikave etnike, thotë Gorani.  
 
“Është tepër i vështirë implementimi i marrëveshjeve të këtilla, të cilat janë shumë ambicioze në kontekstin ideologjik, siç është krijimi i një shoqërie të përbashkët. Është shumë e vështirë që një marrëveshje e këtillë të implementohet prej qasjeve të ngushta, një konteksti etnonacionalist”- tha analisti, Dugagjin Gorani.
 
Analistët nga rajoni, shprehin shqetësimin për oscilacionet politike në disa drejtime lidhur me marrëdhëniet ndëretnike, të cilat rrisin mosbesimin reciprok ndëretnik.
 
Ata, paralajmërojnë se gjendja e mosbesimit të tillë mund të bëhet gjeneruese problemesh dhe mund rrezikojë procesin eurointegrues të vendit. 
 
SHPËTIM NUREDINI