Botë

Edhe të dyshuar të tjerë në Kosovë për terrorizëm

13.08.2014 18:01

Pas seancës dëgjimore, Gjykata dje u ka shqiptuar arrest prej 48 orësh, 40 personave që janë arrestuar së fundmi në Kosovë, nën dyshimin për terrorizëm...

Me vendimin nuk u pajtua njëri nga avokatët mbrojtës, Besnik Berisha, i cili madje arrestimin e quajti si spektakël dhe të motivuar politikisht.
 
“Gjithsesi që është spektakël, sepse edhe ky numër i forcave policore dhe veprimet që janë ndërmarrë, kanë mund të kryhen të gjitha veprimet, nuk jam kundër veprimeve hetimore, por jam kundër spektakleve, kundër mënyrave të organizuara të kësaj natyre, gjithë këta njerëz ishin këtu”- deklaroi avokati, Besnik Berisha.
 
Por, kështu nuk mendon Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila ka paralajmëruar se këtyre personave mund t’u bashkohen së shpejti edhe së paku 55 të tjerë.
 
Nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i kanë konfirmuar “Radio Kosovës” se të dyshuar për përfshirje në aktivitetet e terrorizmit dhe organizimit të shkuarjes për të luftuar në Siri e Irak janë edhe 56 persona. Në këtë shifër, nuk përfshihen 100 personat që supozohet të jenë duke luftuar në Siri dhe Irak.
 
Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi, ka thënë se aktualisht numri i personave që po hetohen është afër njëqind.
 
Në këtë përbërje, Prokuroria nuk ka konfirmuar edhe shifrën prej 100 personash sa supozohet se aktualisht janë duke luftuar në Siri e Irak, nën emblemën e Shtetit islamik të Sirisë dhe Irakut, “Al Nusra’s” dhe degë të organizatave tjera terroriste.
 
Këtë shifër e ka përmendur Agjencia “Asoshieted Press”, duke u thirrur në informacione të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, por kjo sipas Prokurorisë, vazhdon të mbetet shifër e ndarë nga rastet në procedurë. Po ashtu, në luftën në Siri rezulton të kenë vdekur 16 shtetas të Kosovës. 
 
GYLTENE SINANI