Imuniteti i Gruevskit, Komisioni pa debat rekomandon marrjen e imunitetit
Komisioni për çështje të mandatit dhe imunitetit, pa kurrfarë debati....

Komisioni për çështje të mandatit dhe imunitetit, pa kurrfarë debati, në mungesë të VMRO-DPMNE-së, i ka propozuar kuvendit që t’i merret imuniteti deputetit të arratisur, Nikolla Gruevskit. Marrja e imunitetit vjen me kërkesë të gjykatës për arrestimin e tij. Kryetari i komisionit, Pavle Bogoevski, tha se po vendosin në një situatë kontradiktore në mungesë të Gruevskit. Ai apeloi për hetim rrënjësor të lëshimeve të sistemit.
“Do të duhet rrënjësisht të përfundojë hetimi për vërtetimin e përgjegjësisë se cila pjesë e sistemit ka bërë lëshime në sigurimin e Nikolla Gruevskit për mbajtjen e dënimit me burg. Gjithashtu kjo përvojë do të duhet të na shërbejë si mësim që të identifikojmë dhe shumë shpejt të korrigjojmë mangësitë e sistemit që sollën në këtë situatë kontradiktore për të vendosur”,- tha kryetari i Komisionit të Mandatit dhe Imunitetit, Pavle Bogoevski.
STOILLKOVSKI: SHTETI PO PËRGATIT SKENAR TË ERRËT
Nga selia e VMRO-DPMNE kanë reaguar se shteti po përgatit skenar të errët për deputetin e tyre i cili veç më ka siguruar azil politik.
“Këtu nuk bëhet fjalë se a do të marrë kuvendi mandatin, por se për çfarë pushteti bëhet fjalë, për çfarë shumice, se çfarë skenar i errët po zhvillohet në Maqedoni kur deputeti opozitar merr azil politik nga vend anëtar i NATO-s dhe BE-së. Përgjigje më e madhe se kjo nuk nevojitet”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-SË, Naum Stoillkovski.
Pasi Gruevskit nuk iu mor mandati në mungesë të sigurimit të dy të tretave të votave, tani për marrjen e imunitetit nevojitet shumicë e thjeshtë prej 61 vota. Kërkesat e gjykatës për arrestimin e Gruevskit kanë të bëjmë për lëndët TNT, “Titanik”, “Dhuna në Qendër”, “Trajektorja” dhe “Talir”. (Meral Ismaili, TVM2)
