Protesta në Mitrovicë për vendosjen e taksës, dorëhiqen 4 kryetarë të komunave me shumicë serbe
Katër kryetarët e komunave serbe, asaj të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut....

Katër kryetarët e komunave serbe, asaj të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, në shenjë proteste dhanë sot dorëheqje nga pozitat e tyre. Vendosja e taksës si dhe aksioni policor për arrestimin e Millan Radojçiçit si i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, janë ndër arsyet kryesore të dorëheqjes. Kryetari i Listës serbe, Goran Rakiq, njoftoi se do të formohet një shtab i krizës i cili do të sjellë vendime varësisht nga zhvillimet e situatës.
“Prej sot administrimi i qeverisjes lokale nga ana e Prishtinës në veri nuk ekziston dhe kjo jo për shkak të dëshirës tonë, por veprimeve të cilat pamundësojnë jetën normale të serbëve në Kosovë. Tarifa të cilën e ka vendosur Prishtina do të thotë që fëmijët tanë nesër nuk do të kenë ushqim, bukë dhe ujë”,- deklaroi kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq.
Organizatorët njoftuan se protestat do të vazhdojnë edhe ditët në vijim derisa Kosova nuk e tërheq tarifën për mallrat serbe. Në lidhje me këto vendime ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili dorëheqjet i ka cilësuar si veprim të ngutshëm, ndërsa ka ftuar të gjithë qytetarët e veriut për vetëpërmbajtje. Kryeparlamentari Veseli ka thënë se këto dorëheqje janë të dëmshme për klimën e marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
