Maqedoni
Ndotje enorme e ajrit, Shilegov: Burim kryesor ngrohja e amvisërive
27.11.2018 16:31
Ndotja e ajrit është problem i pakujdesisë disadekadëshe dhe mund të zgjidhet vetëm....

Ndotja e ajrit është problem i pakujdesisë disadekadëshe dhe mund të zgjidhet vetëm përmes sistemit që garanton ndryshime afatmesme dhe afatgjata. Kështu vlerëson kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i cili vlerëson se me përkushtim Qyteti i Shkupit ka punuar në uljen e ndotjes, ndotjen e ujërave dhe të mbjellave. Mënyra se si ngrohen qytetarët paraqet burimin kryesor të ndotjes, andaj me masat që ndërmerren parashihet tejkalimi i kësaj gjendje.
“70 mijë amvisëri që nuk bëjnë pjesë në sistemin e organizuar të ngrohjes janë burimi kryesor i ndotjes dhe kontribuojnë me 53%. Nga 39 masa që i nënshkrova me organizatat qytetare janë realizuar 17, kanë filluar 12 dhe pesë nuk janë në kompetencë të qytetit. Jemi të hapur për kritika dhe sugjerime, sepse asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti i fëmijëve tanë”,- u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Plani i Qeverisë për ballafaqim me ndotjen e ajrit është dokumenti i parë kredibil që ofron zgjidhje.
“Për herë të parë lufta kundër ndotjes u bë program i Qeverisë. Kjo do thotë se nuk do varet nga individë, por nga sektorë dhe nuk do varet nga një mandat i një qeverie, por do të jetë përcaktim strategjik i Maqedonisë se si do të përballet me ndotjen”,- u shpreh zëvendësministri i ambientit jetësor, Jani Makraduli.
Ndërkohë, ambasadori i Francës, Kristijan Timonie, tha se duhet reaguar menjëherë sa i përket ndotjes, sepse kemi të bëjmë me shëndetin e qytetarëve dhe nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar.
“Në Maqedoni mbrojtja e mjedisit jetësor dhe ulja e ndotjes i tangon të gjithë. Korniza nacionale është e ngushtë dhe nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar. Edhe pse ka avancim, duhet të ketë ide të reja. Nuk duhet të anashkalohet edhe aspekti shkencor”,- tha ambasadori i Francës në RM, Kristijan Timonie.
Pothuajse 80% nga qytetet me mbi 100 mijë banorë përballen me ndotjen e ajrit. Stacionet matëse edhe në Shkup shënojnë ndotje enorme që i tejkalon edhe vlerat evropiane, u tha me këtë rast.
FLUTURA LATIFI
