Maqedoni

Dhuna ndaj grave, Carovska: me ligjin penal të rregullohet kjo çështje; Zaev: nevojitet qasje gjithëpërfshirëse në shumë fusha; Zhbogar: problematike te të gjitha vendet e Ballkanit

27.11.2018 16:47

Dhuna ndaj grave është e pranishme në shoqërinë tonë. Sipas disa të dhënave, diku rreth 1400 është numri i grave të regjistruara ndaj të cilave është ushtruar dhunë...

Dhuna ndaj grave është e pranishme në shoqërinë tonë. Sipas disa të dhënave, diku rreth 1400 është numri i grave të regjistruara ndaj të cilave është ushtruar dhunë, thotë ministrja, Mila Carovska.

Sipas saj, ka raste kur e dhunuara tërhiqet në mes të procedurës, andaj kërkon që me ligjin penal, procedura ndaj dhunuesit të vazhdojë dhe institucionet të mos heshtin për asnjë lloj dhune.

“Nëse rritet numri nuk do të thotë se rritet numri i dhunës, por rritet numri i ankesave, që është me rëndësi për ne, sepse nënkupton se njerëzit nuk heshtin. Ligji penal duhet të rregullojë edhe pjesën kur viktima tërhiqet në procedurë, shteti duhet të vazhdojë ta ndjek dhunuesin. Vetëm kjo është rruga më e mirë, sepse viktimat në shumë raste në mes të procedurës tërhiqen”,- u shpreh ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.

Për të parandaluar dhunën ndaj grave nevojitet bashkëpunim mes shumë institucioneve në planin aksionar qeveritar për ndërprerjen e dhunës ndaj grave, tha kryeministri, Zoran Zaev.

“Në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave nevojitet qasje gjithëpërfshirëse dhe strukturore në shumë fusha. Strategjia duhet të fokusohet në preventivë dhe jo vetëm në shërimin e pasojave. Duhet të përfshihen edhe meshkujt në gjendjen e zgjidhjes më të mirë, si hallkë kryesore në dhunën ndaj grave”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Dhuna ndaj grave është problematikë tek të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, thonë nga delegacioni i BE-së.

“Hulumtuesit tregojnë se 20-40% të grave në vendet e Ballkanit Perëndimor vuajnë nga dhuna fizike. Mbi 50% vuajnë nga dhuna psikike që u shkaktohet nga partnerët e tyre”,- theksoi euroambasadori, Samuel Zhbogar.

Ngritja e vetëdijes dhe ndryshimi i mentalitetit përmes edukimeve dhe fushatave, edukimi i fëmijëve në moshë të hershme në mënyrë disiplinore, si dhe bashkëpunimi mes shtetit, qytetarëve dhe OJQ-ve janë disa mënyra për të parandaluar dhunën ndaj grave, u tha në forumin rajonal për promovimin dhe implementimin e konventës së Stambollit në vendet e Ballkanit dhe Turqisë.

NERMIN MULAKI FEJZULLAHU