Ekonomi
Ministria e Kulturës, në vitin 2019 me buxhet prej 3.1 miliard denarë
27.11.2018 17:27
Propozim buxheti i Ministrisë së Kulturës për vitin 2019 arrin në 3.1 miliard denarë, theksoi ministri i kulturës, Asaf Ademi....

Sipas tij, 92% e mjeteve janë paraparë për financim të veprimtarive nga sfera e kulturës, 32 për aktivitete kulturore dhe 8% për shpenzime të administratës së Ministrisë dhe Mbrojtjes së Trashëgimisë. Gjithashtu janë paraparë edhe mjete për rikonstruim të Qendrës së Kulturës në Gostivar, Teatrit të Kumanovës, si dhe për 80 punësime në Ansamblin Shtetëror Shqiptar.
“Janë siguruar mjete edhe për 80 punësime në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve popullore shqipe si dhe mjete për 27 punonjësit në teatrin e sapoformuar në Gostivarit. Është caktuar lokacioni për ansamblin, është një objekt në komunën e Çairit dhe ka kaluar në vendim qeveritar. Kjo e dhënë na jep bazë të qëndrueshme të besojmë se do të sigurojmë kushte për përmbajtje kulturore cilësore nga të gjitha sferat të cilat do të dispenzohen në tërë vendin, që të sigurojmë një nga synimet dhe ajo është qasje në kulturë për të gjithë qytetarët tanë”,- tha ministri i kulturës, Asaf Ademi.
Ministri Ademi tha se edhe në buxhetin e vitit 2019 për Teatrin Shqiptar në Shkup janë ndarë mjete me vlerë prej 50 milion denarë që përfundimisht të jetë në funksion.
“Unë mendoj se janë edhe tepër, sepse gjatë rebalancit të buxhetit janë parashikuar edhe mjete shtesë për ndërtimin përfundimtar të atij objekti. Por, nga sugjerimet e institucionit por edhe nga inxhinierët që punojnë në Ministrinë e Kulturës, sepse mund të vijë momenti në fund të vitit mos të realizohet këto mjete të parapara pak më tepër mjete për vitin e ardhshëm, ku shpresojmë se do të ridestinohen për diçka tjetër dhe përfundimisht ky objekt do të jetë në përdorim”,- theksoi ministri i kulturës, Asaf Ademi.
Ministri Ademi tha se si decentralizim indirekt i institucioneve kulturore është parashikimi i mjeteve për realizim të dotacioneve dhe të investimeve kapitale nga njësive të vetëqeverisjes lokale, ku në vitin 2019 janë paraparë 125 milionë denarë. Ai tha se do të hapet thirrje për njësitë vetëqeverisjes lokale, ku përparësi do të kenë komunat rurale.
REJHANE BUSHI METAJ
