Botë

Balla sqaron deklaratat e Ramës në Bruksel

27.11.2018 18:01

Deklaratat e Edi Ramës nga Peja për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës në vitin 2025 janë bërë objekt diskutimi në Bruksel...

Eurodeputeti qipriot, Takis Hadjigeorgiou, tha në takimin e nivelit të lartë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, se ishte i shqetësuar nga deklaratat e kryeministrit shqiptar.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ndodhej në takim si pjesë e delegacionit shqiptar, sqaroi se çfarë kuptonte Edi Rama me bashkimin e shqiptarëve në 2025.

“Ne besojmë se 2025 është momenti i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Mos kini frikë nga bashkëpunimi mes shqiptarëve. Jemi faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe paqeje në Ballkan. Ne do të zhvillojmë me të gjithë fqinjët marrëdhënie shumë të mira, përfshirë Serbinë”,- tha kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Në prani të kryetarit të Komitetit të Politikës së Jashtme, David McAllister, dhe komisionerit të zgjerimit, Johannes Hahn, numri dy i socialistëve dha shpjegime edhe për etiketimin e Serbisë si me dy fytyra nga kryeministri Rama.

“Së pari Serbia duhet të çlirohet nga komplekset e vjetra ballkanike dhe duhet të pranojë realitetin e ri të pakthyeshëm dhe të njohë pavarësinë e Kosovës. Është qëndrim me dy fytyra që nga njëra anë bëhen bisedime, nga ana tjetër Serbia lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç ndodhi me Interpolin”,- u shpreh kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

I shoqëruar në delegacionin edhe nga përfaqësuesit e opozitës, Edmond Spaho, Fatmir Mediu, Klajda Gjosha, si dhe nga nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, Balla tha se shpresonte që reforma zgjedhore të miratohet përpara pushimeve të fundvitit.

“E di që ka pasur një shqetësim për vakancat e krijuara në Gjykatën Kushtetuese, por më mirë vakanca sesa gjyqtarë të korruptuar të japin vendime. Në fillim të vitit të ardhshëm institucionet e reja të drejtësisë do të jenë në detyrë. Jemi gati të votojmë së bashku me opozitën, të cilët i falënderoj që jemi së bashku këtu, Reformën Zgjedhore, paketa ligjore për të cilën tashmë është gati. Besoj se do ta votojmë brenda Krishtlindjeve”,- tha kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

LULJETA NDOKA