Efikasitetin energjetik dhe klimën, vendet t’i vendosin në agjendën politike
Qëllimi i Forumit të dytë parlamentar të Evropës Juglindore kushtuar efikasitetit energjetik dhe klimës...

Qëllimi i Forumit të dytë parlamentar të Evropës Juglindore kushtuar efikasitetit energjetik dhe klimës, është të inkurajojë parlamentarët që ta vendosin këtë çështje në agjendën e tyre politike.
Organizatori, Fondi i Hapur Rajonal i GIZ-it, Slavica Robiç, theksoi se efikasiteti i energjisë mori një njohje në rajon dhe qeveritë e disa vendeve filluan të investonin në programe të ndryshme, por megjithatë varfëria energjetike është ende një temë tepër e panjohur.
“Pjesë e madhe e familjeve gjithnjë e më shumë kanë vështirësi të paguajnë faturat për ngrohje, energji elektrike, madje edhe ujë. Ky numër rritet çdo vit për shkak rritjes së çmimeve. Shumë njerëz jetojnë në kushte joadekuate dhe gjatë dimrit ata mbyllen në një pjesë të shtëpisë, sepse ata nuk mund ta ngrohin të tërën dhe ngrohin vetëm një dhomë. Është vërtetuar se tek njerëzit që jetojnë në varfëri energjetike, kjo ndikon negativisht në shëndetin, dhe kur investohet në efikasitetin e energjisë, njëkohësisht zvogëlohen edhe faturat dhe zgjidhen të gjitha problemet e jetesës në kushte të papërshtatshme”,- deklaroi ekspertja e GIZ-it, Sllavica Robiç.
Ajo gjithashtu theksoi se për të përmirësuar efikasitetit e energjisë do të ishte mirë të ekzistonin kredi pa interes, siç ka në disa vende të Europës, që u lejojnë qytetarëve që jetojnë në kushte të pafavorshme të investojnë në përmirësimin e efikasiteti energjetik. Ajo vuri në dukje se më shumë se 50 milionë familje në Bashkimin Evropian janë prekur nga problemi i varfërisë energjetike, kurse në Rumani, Bullgari dhe Kroaci numri i njerëzve të prekur nga varfëria energjetike është më e lartë se në vendet e tjera të Evropës Perëndimore.
SEDAT SELIMI
