Amnistia e “27 prillit”, Asani: Tërheqja e dëshmive, sinjal i marrëveshjes
28.11.2018 15:55
Amnistia e personave të “27 prillit” është më afër realizimit, pas tërheqjes së dëshmive nga ana e deputetëve të akuzuar....

Ish gjykatësi, Miralem Asani, në “Argument” në TVM2 thotë se kjo mund të jetë sinjal si pasojë e ndonjë marrëveshjeje paraprake.
“Me siguri kanë marrë sinjal pozitiv pala mbrojtëse, flas për avokatët ose vetë të akuzuarit që është mirë që procedura të jetë sa më e shkurtër dhe të tërheqin të gjitha propozimet për të cilat i kanë dhënë ata për faktet për të shqyrtuar në seancën kryesore”,- tha ish gjykatësi, Miralem Asani.
KADRIU: PAZAR POLITIK PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE
Eksperti juridik, Bekim Kadriu, këtë lloj amnistie e konsideron pazar politik, duke sakrifikuar drejtësinë, për të siguruar shumicën e dy të tretës për ndryshimet kushtetuese.
“Një amnisti kur është rezultat i pazarit politik, aty drejtësi më nuk ka. Duke e parë se si funksionojnë gjërat në kuvend dhe duke e ditur mundësinë e arritjes së ndonjë kompromisi në këtë drejtim, unë mendoj se shumica e dy të tretave nuk do të rrezikohet”,- tha eksperti juridik, Bekim Kadriu.
LATIFI: TË MBËSHTETET NGA PJESË E PARTIVE SHQIPTARE
Pasi ndryshimet kushtetuese dhe amnistia janë vënë në kontekst të drejtpërdrejtë, analisti politik, Shpëtim Latifi, nuk përjashton mundësinë që edhe pjesë e partive shqiptare të mbështesin amnistinë.
“Mund të ndahen votat, kjo është një prej mundësive që mund të ndodh, për shkak se tani ndjehet edhe presioni si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Fatkeqësia më e madhe është që këta ndryshime kushtetuese për çështjen e emrit kanë të bëjnë dhe duhet edhe vota e atyre që janë të akuzuar për çështjet e 27 prillit”,- deklaroi analisti politik, Shpëtim Latifi.
Amnistia sipas ekspertëve mund të përjashtojë organizatorët, të cilët vazhdojnë të mbeten enigmë, ndërkaq t’u lehtësohet akuza të akuzuarve për cenim terrorist të rendit kushtetues, ndërsa të lirohen nga akuza pjesëmarrësit në turmë. (Meral Ismaili, TVM2)
