Maqedoni

Përgjegjësia shoqërore - profitabile për kompanitë, lidhje me konsumatorët

28.11.2018 16:40

Projektet për të mirën e shoqërisë, jo vetëm që janë profitabile për kompanitë, por edhe ndërtojnë një lidhje më të fortë në mes tyre dhe konsumatorëve...

Kjo u tha gjatë ndarjes së çmimeve për kompanitë me përvoja më të mira të përgjegjësisë shoqërore. Shumica e projekteve fituese kishin të bëjnë me mbrojten e mjedisit jetësor, mirëqenien e punonjësve, apo bashkëveprimin me konsumatorët.

“Deri më tani janë realizuar mbi tridhjetë aktivitete vullnetare dhe me mbi 300 punonjës të cilët kanë qenë të kyçur në këto aktivitete vullnetare”,- u shpreh koordinatorja e projektit “EVN vullnetarizon”, Vjosa Selimi.

“Këtë vit kompania jonë konkuron me projektin “Adora Diamond Garden”, e cila me 5.5 tonelata gjelbërim me origjinë krejtësisht natyrale në brendësi të ndërtesës, paraqet kopshtin më të madh të brendshëm në Evropë”,- u shpreh zëvendësdrejtori në “Adora Inzhinering”, Dushko Çifliganec.

“Menaxhimi etik” vazhdon të jetë një kategori shqetësuese, pasi ishte e vetmja kategori ku nuk kishte kompani fituese.

“Praktikat botërore tregojnë se mund të kontribojë edhe për punën e mirë të kompanive në aspekt të respektimit të principeve morale, por mund të kontribojë edhe në profitin e tyre”,- tha trupi koordinues për përgjegjësi shoqërore të ndërmarrjeve, Aleksandar Nikollov.

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se në këtë mënyrë kompanitë mund të rrisin imazhin e tyre, por njëkohësisht të bëhen më konkurrente në treg.

“Çdo kompani veprimtarinë e tyre e bazon edhe në profit. Megjithatë, kur e ndan profitin edhe për të mirën e shoqërisë në Maqedoni, çdokush nga ne ndjehet më i përmbushur, për shkak se investojmë në mjedis, investojmë në arritjen e kapaciteteve brenda për brenda kompanive, por njëkohësisht investojnë edhe në kapitalin njerëzor”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Çmimet u ndanë në kategoritë “Marrëdhënie ndaj të punësuarve”, “Raportet në treg”, “Raportet ndaj mjedisit jetësor” dhe “Investimi në komunitet”.

ERSAN PAJAZITI