KH dhe OJQ-të për “27 prillin”: amnistia, përzierje e politikës në gjyqësor Komiteti i Helsinkit: reformat, të vonuara dhe jothelbësore
Komiteti i Helsinkit dhe organizatat joqeveritare që monitorojnë sistemin e jurisprudencës, janë kundër Ligjit për Amnisti për të akuzuarit e “27 prillit”...

Ata kërkojnë nga deputetët të tërheqin këtë ligj dhe ata që kanë shkelur Ligjin, të përballen me drejtësinë. Sjellja e një Ligji të tillë do t’i vinte në pozitë të pabarabartë qytetarët dhe një vendim për amnisti do të dëshmonte në vepër përzierjen e politikës në gjyqësor.
“Të gjithë jemi dëshmitarë se prej pavarësimit të shtetit e deri më sot kanë kaluar një mori funksionarësh të dyshuar, akuzuar dhe dënuar, që nuk e kanë vuajtur dënimin kurrë, dhe kjo praktikë duhet të ndërpritet”,- u shpreh Hajdi Shterjova nga Komiteti i Helsinkit.
“Zyrtarisht, tre shtyllat e pushtetit janë të ndara, por në këtë mënyrë do të shkatërrohet shteti dhe rendi ligjor. Por, do të mbetet edhe mesazhi i praktikës së mosndëshkimit, sidomos për vepra specifike që i tangojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë”,- tha Natali Petrovska nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
Reforma në gjyqësor është reforma kryesore në të cilën duhet të përqendrohet vendi. Por, raporti për monitorimin e reformave tregon se ato nuk kanë përmbajtje thelbësore, madje janë të vonuara. Ndryshimet në Ligjin e ri për procedurë penale dhe prokurorë publikë janë të vogla dhe nuk janë të mjaftueshme për sundimin e së drejtës, ndërsa nuk shihen reforma as për statusin e Prokurorisë Speciale Publike.
“Nuk kemi të dhëna të mjaftueshme në çka konkretisht punon grupi i punës në këtë Ligj, nuk mund akoma të themi nëse PSP do të punojë me ligj të veçantë, nëse do të përfshihet në Ligjin e ri për prokurorë publikë në pjesën e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion apo do të jetë njësi autonome”,- theksoi Hajdi Shterjova nga Komiteti i Helsinkit.
Sipas Komitetit të Helsinkit, ka gjasa që edhe me këto ndryshime ligjore të mos kemi reformat e suksesshme kjo për arsye që në pjesën të madhe të ligjeve nuk është bërë analizë cilësore për të vlerësuar se a ka mjete financiare dhe a mund të funksionojnë të njëjtit në praktikë.
Sipas tyre, qeveria dhe kuvendi nuk guxon të miratojë ligje vetëm se për të përmbushur zbrazëtirat, por ligje që ndryshojnë cilësinë e jetës dhe kthejnë besimin në gjyqësorin dhe organet e tjera gjyqësore.
FLORIJE BELULI KAMBERI
