Botë

Fleckenstein: Kosova të heqë taksën, Serbia të mos e pengojë

28.11.2018 19:17

Eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein, e cilëson si vendimtar bashkëpunimin Kosovë-Serbi në ekonomi....

Në një intervistë ekskluzive për “Deutsche Welle”-n, ai thotë se Kosova duhet të heqë taksën, por edhe Serbia duhet të mos e pengojë Kosovën në përpjekjet e saj, edhe pse nuk e mbështet si shtet”.
 
Sipas tij, palët duhet që të dërgojnë sinjale të paqes dhe të bashkëpunimit, përmes dialogut. Ai e pranon se veprimi i Prishtinës është pasojë e zhgënjimit për refuzimin e anëtarësimit në Interpol, por edhe procesit të zvarritur të liberalizimit të vizave, që e cilëson se “është për të ardhur keq”, megjithatë këshillon që përjetime të tilla të mos rezultojnë në reagime të pamenduara e momentale.
 
Fleckenstein pret edhe nga Serbia të mos i pengojë përpjekjet e Kosovës drejt një shteti të njohur plotësisht, megjithëse mund të mos i mbështesë ato. Sa për liberalizimin e vizave, eurodeputeti gjerman sqaron se ai ende nuk është vendosur përfundimisht. Përparimet e arritura, duhet të çojnë tek liberalizimi i vizave, me qëllim që njerëzit në Kosovë të mos e humbasin shpresën dhe besimin tek Europa, ndërsa vendet anëtare duhet të tregojnë se e mbajnë fjalën përkujton Fleckenshtejn.
 
GYLTENE SINANI