Ukrainë, shtohen tensionet, hyn në fuqi gjendja e luftës
Në Ukrainë ka hyrë në fuqi gjendja e luftës, e miratuar të martën nga parlamenti në Kiev...

Ushtria ka marrë nën kontroll rajonet kufitare me Rusinë dhe ato të populluara nga rusisht-folës.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u acaruan kur forcat detare ruse arrestuan 24 marinarë ukrainas pasi sulmuan 3 anijet e tyre, me pretendimin se kishin hyrë në ujërat territoriale ruse duke shkelur marrëveshjen për kalimin e lirë në ngushticën e Kerçit.
Ukraina hedh poshtë këto pretendime, duke thënë se ushtria ruse qëlloi anijet ukrainase larg hapësirës territoriale detare ruse. Sipas autoriteteve në Kiev, në bordin e anijeve ukrainase ndodheshin edhe agjentë të kundërzbulimit ukrainas.
ShBA dhe BE kanë kritikuar Moskën për sulmin ndaj anijeve ukrainase. Diplomatët perëndimorë kërkuan lirimin e menjëhershëm të marinarëve të arrestuar.
Situata e fundit ka çuar edhe në anulimin e takimit Trump Putin të planifikuar për në takimin e G-20-s në Argjentinë.
Tensionet për zonat detare mes Ukrainës dhe Rusisë janë shtuar pas aneksimit të Krimesë nga Rusia 4 vite më parë. Hapësirën detare përreth gadishullit, Moska tashmë e konsideron si zonë detare të saj.
