Poroshenko i kërkon NATO-s të dërgojë anije në detin Azov

29.11.2018 11:38

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko i bëri thirrje NATO-s...

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko i bëri thirrje NATO-s që të dërgojë anije në detin Azov për të mbrojtur vendin e tij, pasi Rusia aneksoi tri anije të Ukrainës dhe arrestoi ekuipazhin e tyre të dielën, jashtë brigjeve të Krimesë.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, Poroshenko tha se shpreson se shtetet evropiane do të ndërmarrin hapa aktivë, përfshirë rritjen e sanksioneve dhe mbrojtjen ushtarake kundër Rusisë. Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin e sheh veten si “perandor”, ndërsa Ukrainën si koloni ruse. “Gjuha e vetme që Putin kupton, është solidariteti i botës perëndimore. Nuk mund t’i pranojmë politikat agresive të Rusisë. Fillimisht ka qenë Krimeja, pastaj Ukraina lindore, tani e do Detin Azov”, - tha Poroshenko.

Deti Azov është uji që ndan Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e ka aneksuar ilegalisht në vitin 2014 nga tokat e Ukrainës dhe Rusisë. Rusia ka ndërtuar urë mbi Ngushticën Kërç për të lidhur Krimenë me territorin e saj. Ngushtica e Kërçit është rruga e vetme për anijet që udhëtojnë midis Detit Azov, ku Ukraina ka disa porte, dhe Detit të Zi që zakonisht patrullohet nga NATO.

Ukraina është partnere e NATO-s, por jo anëtare e aleancës ushtarake. Më herët, NATO e ka bërë të qartë se qëndron me Ukrainën dhe i ka bërë thirrje Rusisë që të lirojë anijet dhe detarët ukrainas. Rusia ka thënë se anijet e Ukrainës kanë hyrë ilegalisht në ujërat e saj, ndërsa Putin ka deklaruar se autoritetet ukrainase kanë provokuar qëllimisht.