Maqedoni

Rasti “Thesari”, Mijallkov u soll nga paraburgimi. Vasilev: Mijallkov nuk ankohet për kushtet e burgut

29.11.2018 16:39

Ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, për herë të parë nga Burgu i Shutkës, ku ndodhet në paraburgim...

Ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, për herë të parë nga Burgu i Shutkës, ku ndodhet në paraburgim, u soll në seancën gjyqësore për rastin “Thesari”.
 
Ai akuzohet për furnizim joligjor të aparaturës së përgjimit nga Britania në vlerë prej 820 mijë eurosh, për nevojat e drejtorisë së pestë.
 
Gjatë seancës së sotme, prokurori i PSP-së, Artan Ajro, lexoi dëshmi materiale, dokumente, CD me llogari, faktuara dhe raporte bankare.
 
Për këtë rast, PSP propozon 20 dëshmitarë. Sa i përket ankesës për paraburgim të dorëzuar në Gjykatën e Apelit, mbrojtja e Mijallkovit thotë se janë kaluar afatet ligjore për mbajtje të seancës publike.
 
Ata paraburgimin e vlerësojnë si të pabazë dhe në kundërshtim me Ligjin.  
 
“Nga Gjykata e Apelit presim mbajtjen e seancës publike. Shpresojmë se do të jetë së shpejti pasi që kanë kaluar 7 apo 8 ditë, ndërsa e dimë që afati kohor për caktimin e seancës publike pas ankesës së mbrojtjes është në afat prej 3 ditëve”,- tha avokati mbrojtës, Petar Vasilev.     
                                 
Në pyetje të gazetarëve se nëse Mijallkov ankohet për kushtet në burgun e Shutkës, Vasilev përgjigjet se trajtimi në burg është korrekt dhe se nuk ka ankesa.                                                                                     
“Nuk ka asnjë ankesë. Nuk bëhet fjalë për trajtim VIP, por vlerësoj se trajtohet në mënyrë korrekte, ashtu siç lejojnë kushtet në burg, kështu që nuk ka asnjë lloj ankese”,- theksoi avokati mbrojtës, Petar Vasilev.                                                
 
Në rastin “Thesari” janë të akuzuar edhe Goran Grujevski, Toni Trajkovski dhe Nebojsha Stajkoviq.
 
Paratë nga MPB, gjegjësisht nga buxheti shtetëror, ishin transferuar në llogari të ndërmarrjes “Finzi”, pronar i të cilës ishte Kosta Kërpaç, i cili u vra në prill të vitit 2016, gjatë fazës parahetimore për këtë rast, ku ka qenë dëshmitar i PSP-së.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI