Maqedoni
Mediat e shkruara shqipe subvencionohen në 70%
29.11.2018 16:55
Qeveria do të subvencionojë botimin dhe distribuimin e mediave të shkruara...

Mediat e shkruara në gjuhën shqipe dhe mediat e bashkësive tjera etnike do të subvencionohen deri në 70 për qind, thotë kryetari i Asociacionit për mbrojtjen e mediave të shkruara, Lirim Dullovi.
Ai kërkon që kjo shumë të jetë edhe më e madhe për shkak të standardeve që zbatohen në vendet e BE-së, konventës së Uneskos të vitit 2004, ku kërkohet që shteti t’i përkrah mediat në kultivimin e diversitetit kulturor. Por, ai këtë kërkesë e bazon edhe te aneksi C i Marrëveshjes së Ohrit.
“Shpenzimet e mediave shqipe do të mbulohen deri në 70% për shtypje dhe distribuim, dhe shpenzime për mediat maqedonase deri në 50%. Mirëpo kjo nuk është ajo që ne kemi kërkuar, ne kemi kërkuar më tepër. Qeveria ka premtuar se kur do të përpilohet ligji, do të përmbush kërkesën tonë si shoqatë e mediave dhe kjo shumë për mediat maqedonase do të jetë shumë më e madhe se deri më tani”,- u shpreh kryetari i Asociacionit për Mbrojtjen e Mediave të Shkruara, Lirim Dullovi.
50 milion denarë do të shpërndahen sipas kritereve në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare.
Një prej tyre do jetë mediumi t’i paguajë të gjitha obligimet ndaj shtetit dhe kontributet e të gjithë të punësuarve.
Kjo nënkupton paga të rregullta dhe kompensime për të punësuarit, theksoi ministri, Robert Popovski.
Të gjitha kriteret duhet të jenë në pajtueshmëri me Asociacionin e Mediave të Shkruara dhe mos të subvencionohet korrupsioni në media.
“Qëllimi kryesor i Qeverisë është që të përkrah mediat. Të jetë transparente dhe e bazuar në kritere precize, të mos investojë në media për shkak të korruptimit të tyre, apo për ndonjë kontroll apo ndikim të caktuar. Nisur nga kjo, çdo nismë që nënkupton përkrahje të mediave, paga më të larta dhe kushte, ne jemi të përgatitur t’i shqyrtojmë, t’i përkrahim dhe në mënyrë aktive të kontribuojmë në miratimin e tyre”,- tha ministri për transparencë dhe llogaridhënie, Robert Popovski.
Qeveria parasheh që në të ardhmen të ofrojë përkrahje edhe për mediat elektronike, nëse ato ofrojnë propozime të bazuara.
FLUTURA LATIFI
