Botë

Miratohet rezoluta e Shqipërisë në PE

29.11.2018 18:52

Parlamenti Europian ka votuar “pro” raportit të raportuesit për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, për integrimin e Shqipërisë në BE...

Ky raport ka marrë 459 vota “pro” në favor të raportit të vitit 2018 për Shqipërinë, që do të thotë se Parlamenti Europian i jep mbështetje rekomandimit për çeljen e negociatave për në BE.
 
Raporti i eurodeputetit Fleckenstein përmban 48 pika, nga ku që në fillim mbështetet rekomandimi i Komisionit për çeljen e negociatave me BE, kjo pasi njihet progres në reformat e ndërmarra, megjithatë kjo do të varet nga progresi i këtyre reformave.
 
Në këtë raport të miratuar nga Parlamenti Europian, Shqipërisë i kërkohet ndryshime ligjore dhe administrative, duke përmbushur rekomandimet e OSCE/ODIHR-it për zgjedhjet.
 
Këto ndryshime,- thuhet në raport,- duhet të ndodhin përpara zgjedhjeve vendore të 2019-s dhe se partitë politike kanë obligimin të mbajnë larg kandidatë me të shkuar kriminale.
 
Në këtë raport, bojkoti parlamentit nga opozita që prej verës së 2018-s cilësohet si një shqetësim i madh dhe kërkohet rikthimi i dialogut brenda institucioneve demokratike.
 
Ndërsa për procesin e vettingut kërkohet avancim dhe një proces i pavarur me standardet më të larta ndërkombëtare. Raporti shpreh shqetësimin për mosgjetjen e gjuhës së konsensusit nga klasa politike shqiptare për miratimin e ligjeve të tjera të reformës në drejtësi.
 
Raporti përshëndet dhe mbështet luftën e nisur me krimin e organizuar.
 
Gjithashtu Shqipërisë i kërkohet të forcojë masat për të shkatërruar dhe ndaluar burimet financuese për terrorizmin dhe të merret seriozisht me radikalizmin, që përhapet online përmes internetit.
 
LULJETA NDOKA