Maqedoni
Maqedonia ende në fazën e verdhë, freskim vetëm të dielën
14.08.2014 14:48
Edhe sot dhe nesër, vendi do të vazhdojë të jetë në fazën e verdhë të alarmit nga temperaturat e larta...

Temperaturat do të lëvizin prej 34 deri në 40 gradë celsius,varësisht nga rajoni.
Sipas paralajmërimit të meteo-alarmit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, ditët me temperatura më të larta pritet të zgjasin deri në fund të javës.
Ministria e Shëndetësisë, njoftoi se popullata nga i gjithë vendi nevojitet që t'i respektojë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga temperaturat e larta, siç janë: mbrojtje nga ekspozimi në diell, evitim të qëndrimit në të hapur në periudhën nga ora 11 deri në orën 17, konsumim të ushqimit të lehtë dhe lëngjeve, higjienë gjatë përgatitjes së ushqimit dhe marrje të rregullt të terapisë të sëmurët kronikë.
Kujdes të veçantë të kenë më të moshuarit, fëmijët dhe të sëmurët kronikë.
Për shkak të temperaturave të larta dhe mundësisë së rritur për paraqitje të helmimeve me ushqim dhe sëmundje infektuese të zorrëve, nevojitet larje e detyrueshme e pemëve dhe perimeve para përdorimit të tyre, përgatitje termike e ushqimit, ruajtje e detyrueshme e ushqimit në frigorifer në +8 gradë, si dhe evitim të konsumit të produkteve të cilat prishen lehtë.
Pikat për parandalim nga valët ngrohëse vazhdimisht funksionojnë nëpër gjithë vendin, çdo ditë në periudhën nga ora 18:30 deri në orën 21:30.
Në të gjitha qytetet në sheshe ose parqe, janë vendosur pika parandaluese shëndetësore për kontrolle falas, ku qytetarëve u matet tensioni i gjakut dhe merren këshilla shëndetësore për parandalim nga i nxehti.
Në Shkup, janë vendosur tre pika mobile, prej të cilave një ndodhet në shtegun e këmbësorëve tek lumi Vardar dhe dy pika mobile janë sistemuar në të gjitha Komunat e Shkupit.
Nga DPHM, informojnë se në Maqedoni sot moti do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë, me erë të dobët jugore.
Temperatura do të lëvizë prej 30 deri në 40 gradë celsius.
Në Shkup dhe rrethinë, moti do të jetë me diell dhe me erë të dobët jugore dhe me temperaturë deri në 39 gradë celsius.
Të shtunën pasdite, do të ketë rënie të masës më të freskët ajrore nga veriu, e cila të dielën do të ketë kushte për erë të përforcuar veriore, rënie të temperaturës për 6 deri në 8 gradë dhe reshje të dobëta lokale të shiut.
