Rasti “Titanik”, lexohen SMS porositë nga bisedat e të akuzuarve
30.11.2018 12:41
Në Gjykatën Penale vazhdoi gjykimi për rastin “Titanik”...

Fillimisht, gjykatësi, Osman Shabani, lexoi njoftimin nga Kuvendi se deputetit, Nikolla Gruevski, i është marrë imuniteti dhe se gjykata do të veprojë në bazë të kërkesës për paraburgim.
Më pas vazhdoi leximi i SMS porosive si dëshmi materiale nga komunikimi i të akuzuarve.
U lexuan mesazhet telefonike mes Gordana Jankullovskës dhe Nikolla Gruevskit, se si në MPB akoma nuk janë bërë pasaportat e nevojshme për votim dhe se duhet shpejtuar në këtë drejtim.
Mes tjerash, në mesazhet e lexuara, Gruevski i thotë Jankullovskës se para zgjedhjeve duhet të përfundojë me punësimet e disa anëtarëve partiakë.
“Kujdesu të mbarojmë me punësimet”,- shkruhet në komunikimin e ish kryeministrit me njeriun e tij të parë të punëve të brendshme.
Jankullovska informon Gruevskin edhe se Shërbimet policore në komunikacion punojnë në maksimum dhe se të gjitha dënimet i japin nga 300 euro para zgjedhjeve.
Madje, thotë se nëse ka dakordim, kështu mund të veprohet edhe pas zgjedhjeve.
Në SMS porositë mes Gordana Jankullovskës dhe Mile Janakievskit, bisedohet për daljen e dobët të diasporës në zgjedhje dhe Janakievski kërkon numra konkretë për daljen e votuesve.
Gjykimi u ndërpre për shkaqe shëndetësore të njërit nga të akuzuarit.
Në lëndën “Titanik”, që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore, të akuzuar janë ish kryeministri, Nikolla Greuvski, i cili gjykohet në mungesë, ish ministri, Mile Janakievski, dhe ish sekretari gjeneral i Qeverisë, Kirill Bozhinovski, që janë në paraburgim, Gordana Jankullovska, Martin Protugjer, Biljana Brishkoska Boshkoska, Ilija Dimovski, ish kryetari i komunës së Pustecit, Edmond Temellko, dhe disa persona të tjerë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
