Maqedoni
Hungaria kundërshton kërkesën e PE-së për ekstradimin e Gruevskit
30.11.2018 15:36
Pas miratimit të amendamenteve nga PE për ekstradimin e ish kryeministrit Gruevski, kanë reaguar nga qeveria hungareze...

Vendimin e PE-së nga kabineti i kryeministrit hungarez, Orban, e kanë quajtur përzierje në punët ku nuk kanë të drejtë. Parlamenti Europian nuk është mjaftueshëm i informuar me ekstradimin dhe azilin e ish kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka deklaruar në intervistë për televizionin hungarez sekretari shtetëror në kabinetin Orban, Zoltan Kovaç. Sipas tij, procedura për dhënien e azilit për Gruevskin nuk është politike por çështje ligjore.
“Parlamenti Europian, i cili nuk ka asnjë lidhje me këtë proces, dëshiron rastin ta shohë si çështje politike. Shumica e eurodeputetëve votuan për rezolutën edhe pse nuk kanë asnjë lidhje me rastin e Gruevskit. Parlamenti Europian përzihet në vendet ku nuk ka të drejta”,- tha sekretari shtetëror në Hungari, Zholtan Kovaç.
Mbrojtja e Gruevskit nga pushteti hungarez shkon edhe më tej. Ata madje e vlerësojnë ish kryeministrin Gruevski si mbrojtës kryesor të Europës nga terrorizmi dhe emigrantët.
Parlamenti Europian në rezolutën e miratuar për Maqedoninë përfshiu edhe dy amendamentet e dorëzuara nga socialdemokratët, me çka kërkuan nga Hungaria ekstradimin e Gruevskit, sipas tyre, që ai është arratisur me ndihmën diplomatike hungareze.
Disa eurodeputetë theksuan se çështja e Gruevskit do të diskutohet në debat më të gjerë, sepse me strehimin e tij, shkelet sundimi i ligjit si vlerë kryesore e BE-së, pikërisht nga një shtet anëtar i BE-së.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
