Maqedoni

Skandal i ri me përgjimet, përgjohet qendra fikse e Prokurorisë Publike

30.11.2018 17:35

Një skandal i ri e godet vendin me përgjimet. Dy vite me radhë prokurorët publikë të vendosur në godinën e Prokurorisë Publike në skaj të Vardarit...

Një skandal i ri e godet vendin me përgjimet. Dy vite me radhë prokurorët publikë të vendosur në godinën e Prokurorisë Publike në skaj të Vardarit, janë përgjuar. Këtë e tha kryeprokurori, Ljubomir Jovevski, në një brifing me gazetarët, i cili sqaroi se në shënjestër të përgjimeve ka qenë qendra kryesore e telefonave fikse, të cilën e kanë përdorur prokurorët. Jovevski tha se materialet e përgjuara të vendosura në dy hard disqe janë gjetur në hapësirën ku janë ruajtur pajisjet telefonike. Jovevski u tha gazetarëve  se materiali i parë i përgjuar daton nga data 30 shtator 2016, ndërsa i fundit deri dje.
 
Qendra e telefonave fikse në Prokurorinë Themelore Publike është instaluar në vitin 2013. Për opinionin deri në këto momente mbetet e paqartë nëse kjo qendër është blerë me opsionin për përgjim, ose mandej është vendosur sistemi i përgjimit të telefonatave. Jovevski thotë se është hapur procedurë parahetimore për këtë dhe do të hetohet nëse këto materiale janë nxjerrë ose jo jashtë godinës së prokurorisë.
 
Gjithashtu hetime do të bëhen nëse shënjestër e përgjimeve kanë qenë edhe komunikimet fikse të prokurorëve nga Krimi i organizuar, të cilët janë vendosur në një ndërtesë tjetër. 
 
REXHEP QAMILI