Botë
Reshjet e mëdha, shkaktuan vërshime në SHBA
14.08.2014 15:00
Shirat e rrëmbyeshëm, kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në shumë vende përgjatë bregdetit lindor në SHBA...

Long Island dhe New York u goditën si asnjëherë më parë në historinë e këtij vendi nga vërshimet, ku në vetëm gjashtë orë ka rënë mbi 33 centimetra shi.
Sistemi i ujërave të zeza në këtë zonë është i pajisur për të trajtuar përmbytjet prej 12 cm ujë në një periudhë 24 orëshe.
Me ardhjen e masës së madhe të ujit, të gjitha kanalizimet u bllokuan dhe uji filloi të rrjedhë në masë të madhe, ku detyroi njerëzit në rrugë të lëshojnë makinat e tyre. Ndërsa diku rreth 50 njerëz mbetën të bllokuar në to.
“Çdonjëri mundohej sa më shpejtë të largohet nga rruga dhe të ngjitet në një pjesë më të lartë kur uji vinte në masë të madhe dhe me shpejtë”- deklaroi qytetari, Bill Obrien.
“Shkuam në vendngjarje, aty ishin diku 30-50 makina të bllokuara në rrugë dhe mbi 50 njerëz, të cilët kërkonin ndihmë. Uji kishte arritur gati në një metër mbi dritaret e makinave”- theksoi qytetari, Tim Harrington.
Në anën tjetër, në Nebraska të SHBA-ve, nga vala e madhe, e shkaktuar prej shirave të rrëmbyeshëm, u thyen xhamat e një Spitali, gjë që shkaktoi frikë të tmerrshme te pacientët dhe stafi i Spitalit.
Kuzhina ishte e vërshuar nga uji deri kur në momentin tjetër shpërtheu valë e madhe në dritaret e saj, duke shkatërruar çdo gjë në të.
Autoritetet spitalore raportuan se pacientët nuk ishin në rrezik gjatë zhvillimit të ngjarjes.
Jo vetëm kaq, një stuhi masive e pluhurit përfshiu të gjithë Shtetin e Uashingtonit, fenomen ky i cili ndodh në vendet shkretëtirë si Arizona në këtë periudhe të vitit, por edhe në Harrington të Uashingtonit.
Autostrada u mbyll pasi aksidentet e shumta u zhvilluan gjatë kësaj periudhe. Kellie Luiten,e cila xhiroi ngjarjen, thotë se ajo ishte e parkuar në një fushë në anë të rrugës për gjysmë ore, derisa pluhuri kaloi mbi makinën e saj.
LEUNORA KALIQI
