Maqedoni

Ndotja e lartë e ajrit në Tetovë, qytetarët skeptik për masa konkrete

02.12.2018 14:31

Niveli i ndotjes së ajrit në Tetovë sërish kalon kufirin e lejuar...

Mbrëmjen mes të shtunës dhe të dieles ndotja e ajrit arriti të dyfishohet, duke arritur në 205 grimcat PM10 për metër kub. Qytetarët kërkojnë masa urgjente, por ata janë skeptik se institucionet do të marrin masa konkrete që të zgjidhin problemin. 
 
"Na pengon shume, por nuk është qëllimi vetëm Jugohrom, se e ndot ajrin, ndotin edhe tjerat shkaqe Tetovën. Ngrohja me dru dhe veturat edhe ato e ndotin pake, por edhe Jugohromi ishte njëri ndër ndotësit më kryesorë ka qen"...
 
"Shumë, shumë, është edhe me bë ne apel as gjë nuk bëhet. Kurse ndotja ka ra pakë pas mbylljes së Jugohromit po si duket jo"...
 
"Pasi shumicës i bënë dëm duhet të marrin masa, po, mua nuk më bënë dëm", thanë qytetarët.
 
Nga organizata joqeveritare Eko Guerilla thonë se ndotja e ajrit është ulur nga mbyllja e Jugohromit, por ka nevojë për masa shtesë që ndotja të ulet në kufijtë e lejuar. 
 
"Masat që duhet të marren janë kontrollet më të shpeshta të inspektorateve lokale dhe shtetërore të gjithë inspektoratet ekologjik, të cilat duhet të vizitojnë më shpesh këto kompani, fabrikat e kategorisë B, sidomos ato të mobileve dhe auto varrezat,të cilat djegin lëndë të ndryshme gjatë stinës së dimrit. Transporti mbete një sfidë shumë e madhe shkaktues që numri më i madh i veturave që lëvizin  nëpër rrugët e Tetovës, janë vetura të vjetra në mungesë të transportit publik", tha Arianit Xhaferi, nga Eko Guerill.
 
Nga komuna e Tetovës, bëjnë të ditur se inspektorati i komunës është në teren dhe deri më tani ka shqiptuar 15-të, vërejtët për kompanitë që ndotin ajrin.
 
"Ne si autoritet kemi ndërmarrë disa hapa që do të prezantohen edhe në këshillin komunal. Deri tani inspektorët tanë të ambientit jetësor kanë bërë 15 vërejtët në kompanitë e ndryshme të cilët në qoftë se do të ripërsëriten njëra nga këto kompani, inspektorati komunal për ambiente  jetësor do të jetë i obliguar të shqiptoj dënime. Ne si autoritet do të jemi në krye të detyrës për sa i takon shqiptimit të dënimeve normalisht aty ku edhe do të paraqitet nevoja", tha Armend Fazliu, zëdhëns i komunës së Tetovës.
 
Në bazë të dhënave që ka publikuar Ministria e Ekologjisë, Tetova, rezulton të jetë e ndotur në nivel vjetor me  43.8 që sipas tyre ka ulje të ndotjes nga mbyllja e kombinatit Jugorohm me 60%. 
 
VISAR SADIKI