Botë

Edhe tre të arrestuar në Kosovë për terrorizëm

14.08.2014 15:22

Policia e Kosovës, ka vazhduar arrestimet e personave të dyshuar për pjesëmarrje dhe bashkëpunim me organizatat terroriste, ISIS dhe Al-Nusra...

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë arrestuar tre persona, duke e rritur në 43 numrin e të arrestuarve si të dyshuar për terrorizëm. 
 
Në mesin e të arrestuarve, është edhe imami i xhamisë “El-Kuddus” në Gjilan, Zekrja Qazimi. Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.
 
Përmes një komunikate, Policia ka sqaruar se dy nga të arrestuarit janë personat me inicialet Z. Q. nga Gjilani, L. K. nga Polaci i Skenderajt dhe N. A. nga Prizreni. Tre personave të arrestuar iu është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. 
 
Ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë, u ka shqiptuar 30 ditë paraburgim 40 të arrestuarve të ditës së hënë.
 
Gjykata, nëpërmjet një kumtese ka sqaruar arsyet e shqiptimit të masës së paraburgimit.
 
Në kumtesë thuhet: “Gjykata ka konstatuar se të gjithë të akuzuarit në të kaluarën e afërt kanë udhëtuar jashtë Kosovës, duke shkuar edhe në Siri, për t’u kthyer përsëri, ndërsa ekziston rreziku i arratisjes së tyre nëse ndodhen në liri, teksa zhvillohen hetime kundër tyre. Gjykata vendosi t’i mbajë të burgosur të dyzetët edhe për faktin se ata mund të dënohen jo më pak se pesë vjet nëse vërtetohen veprat penale për ta, për veprat me të cilat ngarkohen. Si rrethanë rënduese gjatë vendosjes për caktimin e paraburgimit u konstatua edhe mundësia e të dyshuarve për ndikim në dëshmitarë dhe falsifikim provash”.
 
Në kumtesë, gjithashtu thuhet se të dyshuarit, duke qenë se i takojnë një grupi të përbashkët kriminal, po të liroheshin do të përbënin rrezik për kryerjen e sërishme të veprave për të cilat ngarkohen. Me masën për paraburgim prej 30 ditësh, nuk është pajtuar pala mbrojtëse. 
 
MEMEDALI JUSUFI