Rasti “Titanik 2”, u prezantuan dëshmi për parregullsitë zgjedhore në vitin 2013

03.12.2018 16:10

Me vonesë prej 1 orë e gjysmë, filloi gjykimi për rastin “Titanik 2”....

Me vonesë prej 1 orë e gjysmë, filloi gjykimi për rastin “Titanik 2”, që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore në vitin 2013.

Shërbimet e burgut të Shutkës vonuan ardhjen e ish shefit të DSK-së në gjykatë, Sasho Mijallkov, pasi që pritnin të mbërrijë me urdhrin e gjykatës të dërguar në mëngjes për ta sjellë atë.

Në këtë gjykim dëshmi dha i punësuari në KShZ, Admir Shabani, i cili tregoi mënyrën e përpilimit të procesverbaleve të seancave të tyre. Një dëshmitar tjetër i PSP-së, i cili ka qenë anëtar i bordit zgjedhor në një vendvotim në Strumicë, rezultatet e të cilëve janë prishur për shkak të vendimit të ish anëtarëve të KShZ-së, tashmë të akuzuar, tha se pa arsye dhe pa bazë është sjellë ky vendim, pasi që i gjithë votimi atje ka përfunduar pa asnjë parregullsi të evidentuar.

Në ndërkohë, ish anëtari i KShZ-së dhe njëherit i akuzuar,  Bedredin Ibrahimi, drejtoi një sërë vërejtjesh për mënyrën e shënimit të procesverbalit i cili, sipas tij, mungojnë disa pjesë të deklaratave të tij.

Ibrahimi u përplas dhe e akuzoi edhe prokuroren speciale, Fatime Fetai, i cili i tha se “Nuk keni punë me person nga rruga, por me detajist dhe perfeksionist” dhe se ajo fsheh provat të cilat janë në favor të të akuzuarve, ndërsa kjo e fundit i kundërpërgjigj që të ngrit padi penale ndaj saj nëse e thotë të vërtetën.

Ibrahimi kërkoi nga gjykata që t’i pranohen provat shtesë. Në seancën e ardhshme gjyqësore do të dëshmojë edhe e punësuara tjetër në KShZ, Ljupka Guguçevska. PSP në rastin “Titanik 2” akuzon ish shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov, liderin e PDSh-së, Menduh Thaçin, si dhe ish anëtarët e KShZ-së, Bedredin Ibraimin, Aneta Stefanovskën, Vllatko Sajkovskin dhe Sasho Sërçevin. (Rexhep Qamili, TVM2)