Maqedoni
Analistët: Tirana dhe Prishtina kujdesen për të gjithë shqiptarët
14.08.2014 15:35
Pozita e shqiptarëve që jetojnë në vendet e Ballkanit, jashtë kufijve administrative të dy shteteve shqiptare...

Pozita e shqiptarëve që jetojnë në vendet e Ballkanit, jashtë kufijve administrative të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, ndiqet me kujdes nga Tirana, Prishtina, por edhe nga Brukseli dhe qendrat e tjera vendosëse.
Liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe ngecjet në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, janë evidentuar dhe deklaruar nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe nga Brukseli në Raportin e Progresit të KE-së për Maqedoninë, thonë analistët nga rajoni.
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe njohës i mirë i zhvillimeve politike në rajon, Tritan Shehu, thotë se Tirana zyrtare ka luajtur politikë të mençur sa i përket zhvillimeve politike në trojet shqiptare, posaçërisht në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve administrative të Shqipërisë.
“Është një proces që duhet ta ndjekim më me seriozitet, në mënyrë më konkrete dhe të jemi më të përgjegjshëm për rolin që po luajmë. Megjithatë, unë do të them diçka në lidhje me rajonin dhe vendet e rajonit, në të cilat ka popullsi shqiptare, unë mendoj se Shqipëria, pa dyshim, ka luajtur në gjithë këto vite, që nga viti 1992, një politikë të mençur, racionale, e cila ka ndihmuar shumë në këto arritje të mëdha të paimagjinueshme pak vite më parë, që shqiptarët kanë arritur sot”- deklaroi ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Tritan Shehu.
Investimi i parë strategjik dhe kontributi më i madh që mund të japin elitat politike nga Shqipëria dhe Kosova për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni dhe gjetiu, është që ata të jenë shembull për ndërtimin dhe funksionimin e shteteve përkatëse, thotë studiuesi Alber Rakipi. Sipas tij, status quo-ja politike, konflikti i vazhdueshëm politik në shtetet shqiptare nuk është në favor të shqiptarëve që jetojnë në shtetet e tjera të Ballkanit dhe në Diasporë.
“Në qoftë se ka një situatë jo aq të favorshme, nëse aktorët politik, partitë, ose udhëheqësit shqiptarë në Shqipëri ose Kosovë janë të angazhuar, ose të kapur në atë konfliktin e luftës së politikës së përditshme me interes afatshkurta politike të tyre, normalisht që do të kenë më pak vëmendje ndaj zhvillimeve në Maqedoni, bashkërendimit të agjendave dhe të mbështetjes së frymës dhe të kulturës evropiane në këtë vend, kur është fjala për shembull për Marrëveshjen e Ohrit”- theksoi Albert Rakipi nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.
Marrëveshja e Ohrit, është dokumenti bazë për ndërtimin e shtetit të përbashkët të shqiptarëve dhe maqedonasve, shtetet fqinje janë të interesuara të ndihmojnë, mirëpo barra kryesore për zbatimin e këtij dokumenti bie mbi partitë politike dhe institucionet ku shqiptarët e Maqedonisë kanë përfaqësuesit e tyre, thonë analistët politik.
SHPËTIM NUREDINI
