Gjykimi për dhunën në Kuvend, Mlladenovski: Organizator ishte DSK
Të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, Stefan Mlladenovski dhe Mihaill Mlladenovski....

Të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, Stefan Mlladenovski dhe Mihaill Mlladenovski, në dëshminë e tyre mbrojtëse para trupit gjykues deklaruan se DSK ka qenë organizator direkt për sulmin në Kuvend. Në organizim ka qenë i involvuar edhe Nikolla Boshkovski - ish i punësuar në DSK, aktualisht i arratisur në Greqi.
MLLADENOVSKI: PLANIFIKOHEJ ATENTAT MBI VETURAT E SHILEGOVIT DHE FRÇKOVSKIT
I akuzuari, Mihaill Mlladenovski, në deklaratën e tij zbuloi se ideja e DSK-së ka qenë që vetura e Petre Shilegovit dhe Lubomir Frçkovskit të ngrihet në ajër.
“Veturat e Petre Shilegovit dhe Lubomir Frçkovskit është dashur të ngrihen në ajër, menjëherë pas zgjedhjeve në vitin 2016. Kjo ka qenë ideja e funksionarëve të lartë të DSK-së, të cilët kanë pasur aksion për shkatërrimin e ‘armiqve shtetërorë’”,- tha Mlladenovski.
MLLADENOVSKI: DSK URDHËROI NDJEKJEN E PROKURORËVE TË PSP-SË
Ai gjithashtu tha se DSK kishte urdhëruar Ninxhën që të ndjek prokurorët e PSP-së.
“Nikolla Boshkovski nga DSK, i dha urdhër Aleksandar Vasilevskit –Ninxha, që të ndjek disa persona, të cilët drejtori i atëhershëm i DSK-së, Vlladimir Atanasovski, i vlerësonte si interesantë, gjegjësisht armiq të shtetit. Dhe kështu u ndoqën prokurorë të PSP-së, të cilët u fotografuan dhe dokumentuan, ndërsa u ndoq edhe Kire Naumov nga LSDM”,- theksoi Mlladenovski.
Ndërkohë edhe vëllai i tij, Stefan Mlladenovski, sqaroi se si janë keqpërdorur nga Vlladimr Atanasovski - ish drejtor në DSK,- dhe Aleksandar Vasilevski Ninxha, i cili ka qenë lidhja mes protestuesve dhe DSK-së. Në takimet paraprake që kanë pasur me Ninxhan dhe Nikolla Boshkovskin, janë informuar se shteti është në rrezik dhe duhet të mbrohet, ndërsa DSK do të qëndrojë pas tyre. Ai tha se kanë qenë të njoftuar se protesta është përhapur nga VMRO, ndërsa ditën kur LSDM do të dëshirojë të themelojë qeveri dhe të zgjedh kryetarin e kuvendit, do të hyhet në Kuvend.
Dejan Dimkovski-Bokser, - i punësuar në DSK,- i ka informuar se kamerat e sigurisë i ka thyer dhe se nuk ka nevojë të brengosen. Ai sqaroi se në një moment ka dëgjuar se një grup i shqiptarëve të armatosur janë nisur drejt Kuvendit, ndërsa për t’u gjendur me këtë situatë, Nikolla Boshkovski dhe Ninxha kanë siguruar një veturë me armatim për kundërpërgjigje. Në dalje nga gjykata, Mlladenovski nuk komentoi asgjë më tepër nga ajo që kishte thënë në gjykim.
“Gjithçka që pata, e thashë brenda në gjykatë”,- u shpreh i akuzuari, Stefan Mlladenovski.
Ai theksoi se Ninxha dhe Atanasovski nuk kanë pasur mendim të mirë për drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov.
Ndërkohë, një pjesë e të akuzuarve vazhdojnë të mos shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të deklaruar para trupit gjykues kështu duke tërhequr dëshmitë tërësisht dhe pjesërisht. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
