Maqedoni

Stoltenberg inkurajon Shkupin të implementojë marrëveshjen për emrin

03.12.2018 17:45

Ballkani Perëndimor është rajon i rëndësishëm strategjik për NATO-n, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO–s....

Ballkani Perëndimor është rajon i rëndësishëm strategjik për NATO-n, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO–s, Jens Stoltenberg, para fillimit të takimit ministror të Aleancës veri-atlantike. Stoltenberg, duke mos dashur të spekulojë se si do të arrihen 2/3 e votave në fazën finale mbi ndryshimet kushtetuese në vend, përkujtoi dhe inkurajoi autoritetet e Shkupit që ta implementojnë marrëveshjen për emrin, si parakusht për Maqedoninë për t’u bërë anëtare fuqiplote e NATO-s.  
 
“I takon parlamentit dhe autoriteteve të Shkupit që t’i marrin vendimet dhe unë nuk mund të garantoj për Shkupin. E pamë se si u arritën 2/3 e votave në procesin iniciues dhe  mua nuk më takon të spekuloj nëse do të arrihen 2/3 e votave edhe në fazën e fundit. Unë vetëm mund të them se sapo të implementohet marrëveshja për çështjen e emrit, atëherë ne do të jemi gati ta nënshkruajmë protokollin dhe më pas Shkupi mund të marrë pjesë në takimet tona ministrore”,- u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Për rastin e Gruevskit,  Stoltenberg tha se nuk është çështje e NATO-s. Siguria që ka marrë ish kryeministri Gruevski në Hungari, sipas tij, është çështje që duhet të zgjidhet mes Shkupit dhe Budapestit. 
 
“Nuk është për mua të komentoj për këtë çështje. Kjo punë duhet të diskutohet mes Shkupit dhe Budapestit”,- theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Brukseli ka mbledhur të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s për të diskutuar për tema kryesore të sigurisë, por edhe për Ballkanin Perëndimor në drejtim të integrimit. Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Federica Mogherini, të mërkurën do të flasë për progresin e Maqedonisë dhe vendeve tjera nga Ballkani Perëndimor.
 
Në kuadër të këtij takimi, në Bruksel po qëndron edhe ministri i jashtëm Dimitrov, i cili pritet të realizojë takime bilaterale me zyrtarë të Brukselit  dhe homologët  e tij,  ku kryesisht do të diskutohet për çështjet aktuale të ndërlidhura me procesin eurointegrues, njoftojnë nga MPJ.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU