Maqedoni

Nuk ka ngrohje në shkolla dhe çerdhe, komuna e Çairit: Edhe pse kemi borxh ndaj ngrohtores, faji nuk është tek ne

03.12.2018 17:49

Dyert e shkollave të komunës së Çairit dhe Butelit janë të mbyllura....

Dyert e shkollave të komunës së Çairit dhe Butelit janë të mbyllura sepse nuk ka ngrohje qendrore. Mbetet të shohim se ku qëndron faji, tek borxhet e komunave apo tek Ngrohtorja “Shkup – veri” që nuk ka gaz natyror. 
 
Komuna e Çairit pranon që ka borxhe ndaj Ngrohtores “Shkup - veri”, por vetëm për shkolla dhe çerdhet dhe jo për amvisëritë. Nga komuna e Çairit gjithashtu theksuan se vitin e kaluar kanë nënshkruar kontratë me Ngrohtoren “Shkup - veri” për pagesën në bazë mujore me këste si dhe realizojnë pagesat për çdo muaj, deri tani 50% e borxhit është shlyer. Këta të fundit theksuan se ngrohtorja gjendet në një krizë të thellë financiare dhe për këtë situatë faji hidhet tek komuna. 
 
“Komuna e Çairit gjatë ditës së sotme dhe të nesërme do të realizojë detyrimin pagesor për këstin e muajit dhjetor dhe harxhimet që i ka në rrjedhë e sipër në këtë periudhë aktuale, dhe me këtë pritet që gjatë të martës dhe të mërkurës të zgjidhet ky problem. Ngrohtorja “Shkup - veri”  ka një krizë të thellë financiare për arsye të shkyçjes së qytetarëve nga rrjeti i tyre masovik dhe nuk mund të sigurojë mjete të mjaftueshme financiare për ekzistencën e saj. Për momentin kapet vetëm te komuna e Çairit që ka borxh, borxh që vlen vetëm për shkolla dhe jo për amvisëritë”,- u shpreh zëdhënësi i komunës së Çairit, Kushtrim Alla.
 
Nga  komuna e Butelit si dhe nga Çerdhja “11 tetori” theksuan se nuk kanë borxhe ndaj ngrohtores, të gjitha faturat janë të paguara, por problemi qëndron tek ata.  
 
“Kemi pasur problem edhe muajin e kaluar disa herë, por këtë herë mendoj që është problemi më serioz . Shpresoj se deri në fund të ditës do të zgjidhet problemi dhe do të mbarojnë negociatat mes qeverisë, ngrohtores dhe ndërmarrjes së gazit. Shpresojmë se ndërmarrja e gazit do ta  ndërmarrë ngrohtoren, borxhet, por edhe obligimet. Gjithashtu dua të potencoj se komuna e Butelit deri në muajin tetor faturat i ka të paguara  dhe nuk ka borxh as ndaj ngrohtores apo ndonjë institucioni tjetër”,- theksoi kryetari i komunës së Butelit, Velimir Smilevski.
 
“Shkyçja nga ngrohtorja nuk është për shkak të problemeve financiare, sepse çerdhja i ka paguar të gjitha faturat deri në muajin tetor. 140 fëmijë i kemi transferuar në objektin tjetër, që është pjesë e çerdhes “11 teori” në Butel 2. Nëse nuk zgjidhet ky problem, fëmijët do vazhdojnë të qëndrojnë atje edhe pse hapësira nuk është e mjaftueshme për 140 fëmijë”,- u shpreh drejtoresha e Çerdhes “11 tetori”.
 
Edhe faji gjithmonë është jetim, pasi që faji hidhet njëherë tek komunat e njëherë tek ngrohtorja, ata që pësojnë më shumë janë qytetarët. Ata ankohen se ky problem duhet të zgjidhet dhe duhet të jenë të informuar më herët nëse nuk do të kenë ngrohjes qendrore e jo pasi temperatura do të arrijnë nën zero. 
 
“Nuk punon sigurisht shkolla, pa ngrohje temperaturat kanë rënë nën zero. Mandej ne me fëmijët duhet të vrapojmë nëpër mjekë. Mendoj që komuna e udhëheqësia duhet të ndërmarrë masa, sepse nxënësit ta lejnë mësimin nuk bën”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Unë nuk mund të rri kujdestar para tv për ta kuptuar se kur t’u hipë këtyre qejfi ta ndalin e kur ta lëshojnë. Edhe ata që e lëshojnë nuk e lëshojnë në temperaturën e mjaftueshme. Ne jemi mbështet në ngrohje qendrore, tash puna doli se duhet të bëjmë çare, si të bëjmë çare, kur temperaturat janë nën zero natën”,- tha një qytetar.
  
Ndërsa nga Ngrohtorja “Shkup veri” nuk deshën të prononcohen për ekipin e TVM2, ndërsa  nga “Makpetrol Prom Gas” janë të gatshëm që t’i ofrojnë gaz natyror Ngrohtores “Shkup - veri”, por ata kërkojnë garanci bankare.
 
REJHANE BUSHI METAJ