Maqedoni
Rritet çmimi i bukës, qytetarët: Çdo rritje ndikon në buxhetin familjar
03.12.2018 18:21
Çmimi i miellit vazhdon të mbetet i njëjtë, ndërsa nga dita e sotme qytetarët çmimin e bukës do ta paguajnë për disa denarë më shtrenjtë....

Për rritjen e çmimit të bukës qytetarët janë njoftuar mëngjesin e sotëm gjatë blerjes së saj. Të anketuarit nga TVM2 vlerësojnë se kjo rritje, sado e vogël të jetë, do të ndikojë në buxhetin e tyre familjar.
“Katastrofë është, se jemi me ndihmë sociale. Jo vetëm e bukës, por në përgjithësi, rrymës e bukës... Nuk jemi të kënaqur në përgjithësi, keq është”,- u shpreh një qytetar.
“Po, ndikon shumë te ne, ndikon pasi jemi gjithë me ndihmë sociale”,- theksoi një qytetar.
“Po te ai që është me ndihmë sociale dhe që merr një rrogë pastruesi, pra me një rrogë minimale sigurisht që do të ndikojë”,- theksoi një qytetar.
“Do të ndikojë në buxhetin e familjeve tona. Çdo rritje menjëherë ndikon dhe ndjehet tek familjet”,- theksoi një qytetare.
Nga Ministria e Bujqësisë shprehen se nuk janë të informuar për këtë rritje, ndërsa shtojnë se çmimi i miellit do të mbetet i njëjtë.
TVM2 kontaktoi edhe disa pronarë të furrave në Shkup. Ata nuk deshën të prononcohen para kamerave, por shkurt na thanë se vendimi është marrë pas një marrëveshjeje individuale që kanë pasur të gjithë pronarët e furrave. Rritjen e çmimit e arsyetojnë me shpenzimet që kanë gjatë prodhimit të bukës.
ZEKIRIJA MEXHITI
