Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, kuvendi miratoi amendamentin e tretë dhe të katërt

03.12.2018 18:30

Kuvendi miratoi projekt amendamentin e tretë dhe të katërt për ndryshimet kushtetuese....

Opozita maqedonase dhe mazhoranca u përplasën rreth amendamentit të tretë, ku thuhet: Republika respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje.
 
“Supozoj se edhe grekët janë pajtuar që të shkruajnë në kushtetutën e tyre një fjali të tillë, kjo është e ndërsjellë. Andaj pyes se kur grekët do të shkruajnë në kushtetutën e tyre se e garantojnë integritetin tonë territorial”,- tha Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE.
 
“Kjo është marrëveshje e pranueshme për të dyja palët, ku garantohet identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase. Ne do të jemi kombi i vetëm në botë që në Kombet e Bashkuara do të shkruhet si i vetëm që flet gjuhën maqedonase”,- theksoi Goran Misovski nga PRSD.
 
Zëvendësministri për punë të jashtme, Andrej Zhernovski, tha se kufijtë e Maqedonisë mbeten të përhershëm dhe të paprekshëm.
 
“Ne garantojmë që kufiri me Greqinë të bëhet i përhershëm dhe i paprekshëm ndërkombëtarisht. Maqedonia e fiton përkrahjen më të madhe në rajon për shkak se zgjidhet një çështje mjaft të rëndësishme, e ajo është kufiri i saj”,- deklaroi zëvendësministri i punëve të jashtme, Andrej Zhernovski.
 
Ndërkaq, opozita shqiptare kërkoi që në amendamentin e katërt të mos bëhet mbrojtja e trashëgimisë kulturore vetëm i maqedonasve në diasporë.
 
“Ne për shqiptarët atje garantojmë se do të marrin pasaportën, mund të marrin dhe një dokument personal, ndërsa kur bëhet fjalë për maqedonasit, do të kujdeset edhe për çështjet kulturore dhe për çështje të trashëgimisë edhe për çështje të tjera”,- u shpreh Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.
 
“Asgjë në esencë nuk do të ndryshonte në rast se ky paragraf përshkruhej kështu: Republika kujdeset për qytetarët e saj që jetojnë jashtë shtetit. Mendoj se është e njëjta logjikë, është e njëjta frymë”,- tha Syrija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët.
 
Katër amendamentet kalojnë në Komisionin Kushtetues dhe më pas në debat publik, i cili do të zgjasë pesë ditë pune nga dita e publikimit në Gazetën Zyrtare. Pas përmbylljes së debatit, qeveria rikthen amendamentet kuvendit dhe për t’u miratuar nevojiten dy të tretat e votave.
 
MERAL ISMAILI