Maqedoni

Personat me nevoja të veçanta, kërkohet inkuadrim gjithëpërfshirës

03.12.2018 18:39

Sipas të dhënave të OBSh-së, 10% e popullatës në Maqedoni janë persona me nevoja të veçanta....

Dhe kjo shifër duhet të na bëjë të pyetemi se sa kujdeset shoqëria për këtë pjesë të rëndësishme të saj. Jo shumë dhe jo gjithmonë, thonë prindërit e këtyre fëmijëve.
 
“Jo vetëm një ditë, por duhet angazhime të ketë nga institucionet përditë. Ne kemi problem në shkollë, na duhen klasa më tepër se jemi shumë nxënës edhe kemi problem, në mësim duhet më pak nxënës që më mirë të kuptojnë këta fëmijë”,- u shpreh një prind.
 
Ekspertët kërkojnë më shumë angazhim, që kjo kategori qytetarësh të aftësohet për t’u inkuadruar më lehtë në shoqëri e për të pasur një jetë të pavarur.
 
“Problem i madh është çdo institucion parashkollor dhe shkollor t’i largojë ato barriera arkitektonike, siç janë p.sh. pjerrinat ose ashensori, ose t’i rregullojnë tualetet për këta fëmijë… Tash ne po presim prej institucioneve për momentin, sidomos pjesa e shqiptarëve dhe shkollat aty ku gjenden dhe institucionet parashkollore të pranojnë edukatorë specialë dhe rehabilituese, sepse këta janë ata trenat e parë që e ecin këtë proces më shpejtë”,- u shpreh profesori, Bunjamin Memeti.
 
Për një kohë të gjatë, kjo kategori qytetarësh ishte pothuajse e padukshme për pjesën tjetër të shoqërisë edhe për shkak të barrierave fizike që pengonin lëvizjen e tyre. 
 
“Duhet të punojmë në eliminimin e barrierave që këta persona të kenë qasje më të lehtë si në transport, në arsim, në kulturë, në të drejtat sociale dhe në fusha të ndryshme, sikurse personat papengesa në zhvillim”,- theksoi ambasadori i BE-së – Maqedoni, Samuel Zhbogar.
 
Autoritetet premtojnë mbështetje më të madhe për ta. Që nga shtatori, 69 persona përdorin shërbimin e asistencës personale. Do të ketë edhe pensione për prindërit që vetë janë kujdesur për fëmijët e tyre me nevoja të veçanta. 
 
“Me futjen e asistentëve edukativë personalë në mësimdhënie, ne përkrahim fëmijët me aftësi të kufizuara. Vitin e kaluar për këtë qëllim u angazhuan 140 asistentë në 18 komuna në vend”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
“Sicili prind i cili është kujdesur për fëmijën e tij deri nën moshën 26 vjeçare dhe nuk e ka institucionalizuar atë, do të mund të marrë pension pas moshës 62 vjeçare për femra dhe 64 për meshkuj,  edhe pse nuk e kanë plotësuar kushtin”,- theksoi ministrja e punës dhe poltikës sociale, Mila Carovska.
 
Për vitin 2019, Qeveria ka paraparë mbi 169 milion denarë  ndihmë financiare për personat me nevoja të veçanta.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI