Maqedoni

E tërë Maqedonia e kapluar nga faza e verdhë

14.08.2014 16:35

Maqedonia vazhdon të jetë e kapluar nga valët e nxehta dhe temperaturat e larta mbi 40 gradë celsius, të cilat e definojnë fazën e verdhë, gjegjësisht fazën alerte...

Për shumicën e të anketuarve, ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell është i papërballueshëm dhe kjo situatë i ka detyruar qytetarët të dalin vetëm për nevojat e tyre të domosdoshme. Shitësit ankohen për rënien e shitjes.
 
“Këto dy tre ditë, s’ka punë shumë, nxehtësi e madhe dhe s’ka lëvizje të njerëzve, ky është i nxehti i madh dhe s’ka lëvizje edhe mua më pengon dielli se jam me sheqer”- u shpreh një shitës.
Por, të kundërtën e thonë taksistët, për të cilët këto ditë janë ditët më fitimprurëse, për arsye se shumica e njerëzve për t’iu shmangur të nxehtit, udhëtojnë me taksi. 
 
“Më shumë ka punë, më shumë, sebep njerëzit shpejtojnë me sos ma shpejt punë, e me shku a në pazare, a varësisht ku kanë nevojë, sidomos këtë sezon”- tha një taksist.
 
Për shumë qytetarë, ishte e padurueshme kjo vapë dhe gati të gjithë mbanin shishe uji në duar. 
 
“S’ka njeri që si pengon 40 gradë temperatura, sidomos për këta punëtorë hala ma zor është, që rrinë gjithë ditën te zjarri, ata çka janë të sëmurë, atyre u pengon hala ma shumë”- theksoi një qytetarë.      
                                                                 
“Tash më tepër konsumoj ujë, u largohem mishrave, atyre gjërave që kanë kolesterol,  atyre gjërave që janë me yndyrë shumë. Jo nuk dal, nuk dal, por edhe kur dal vendos kapelë ose syza”- potencoi një qytetarë.                          
       
Mjekët rekomandojnë shmangien e qëndrimit më të gjatë në qiell të hapur, në periudhën prej orës 11 deri në ora 16. Doktor Rexhep Memeti, këtë apel e drejton në veçanti te personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët.          
   
“Jemi dëshmitarë të motit me temperaturë të lartë. Ne si mjekë apelojmë te qytetaret, të kenë kujdes, mos të qëndrojnë shumë gjatë në diell, të konsumojnë më tepër lëngje. Apeli posaçërisht është për personat me sëmundje kronike, prindërit të kenë kujdes me foshnjat, sepse mund që të dehidrojnë dhe pa nevojë mos të dilet në diell”- deklaroi doktor Rexhep Memeti.        
                                   
Preferohen veshje të rrobave të lehta dhe me ngjyra të hapura, konsumim të ushqimit të lehtë dhe lëngjeve, mbajtja e higjienës gjatë përgatitjeve të ushqimit, si dhe marrje e rregullt e terapisë të personave të sëmurë kronik.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU