Maqedoni
Trupit koordinues për pajtim, formohen edhe trupi për integrim dhe për reforma
03.12.2018 18:41
Konform vendimit të Trupit ndërpartiak për pajtim, pas formimit të Grupit për pajtim....

Konform vendimit të Trupit ndërpartiak për pajtim, pas formimit të Grupit për pajtim, u formuan edhe dy grupet e tjera, ai për integrim dhe Grupi për reforma, të cilët mbajtën edhe seancat e para.
Grupi për integrim është fokusuar në nevojën për debat të gjerë publik, i cili do të zhvillohet para përpilimit të amendamenteve kushtetuese. Grupi vlerëson se procesi i miratimit të ndryshimeve kushtetuese duhet të përmbyllet pozitivisht deri në fund të janarit.
“Kishte përfaqësues të qeverisë dhe diskutuam për zhvillimet e radhës, me vëmendje të veçantë te debati publik sepse ai është shumë i rëndësishëm për të gjithë deputetët. Biseduam që debati përveç se në Shkup, në AShAM ose ndonjërin prej universiteteve publike duhet të mbahet edhe në qytete të tjera të Maqedonisë dhe me siguri ashtu do të jetë, si në qendrat universitare në Manastir, Shtip dhe Tetovë”,- tha Jovan Mitrevski nga Grupi punës për integrimet.
Në ndërkohë Grupi punues për reforma i ka vënë qëllim vetes që të diskutojë dhe të nxis harmonizimin e 20 pr/ligjeve me ato të BE-së, ndër të cilat janë ligjet që rregullojnë sferën e gjyqësisë, Ligji për media dhe ai për parandalimin e korrupsionit.
“I propozojmë Qeverisë së RM-së që gjithë këto ligje që do të jenë temë debati e këtij grupi t’i harmonizojë me legjislaturën e BE-së dhe deri më 15 dhjetor t’i dërgojë në Parlament. Po ashtu i propozojmë kryetarit të Parlamentit, z. Talat Xhaferi që të thirr seancë me gjithë këto ligje, një seancë të posaçme në afat sa më të shkurtër”,- tha Rexhail Ismaili nga Grupi punues për reforma.
Edhe Grupi për reforma do të formojë grup këshillues ku do të përfshihen përfaqësues nga AShAM-i, ekspertë të fushave përkatëse dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
SHPËTIM NUREDINI
