Botë

Thaçi: në Kosovë nuk ka vend për ekstremizëm

14.08.2014 16:41

“Në Kosovë nuk ka vend për ekstremizëm”- ka deklaruar në një intervistë për “Dojçe Velen”...

“Në Kosovë nuk ka vend për ekstremizëm”- ka deklaruar në një intervistë për “Dojçe Velen” kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kosova, ka qenë dhe do të mbetet një hapësirë e tolerancës fetare, e dialogut të qytetëruar. Këto elemente nuk do të mund ta rrezikojnë këtë shembull të mirë të tolerancës fetare në Republikën e Kosovës. Unë u jam mirënjohës qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e angazhimeve tona në këtë drejtim”- ka thënë Thaçi. 

Sipas tij, të gjitha arrestimet e fundit që kanë ndodhur janë të bazuara në fakte dhe dëshmi të institucioneve të Republikës së Kosovës, të mekanizmave të sigurisë dhe mekanizmave ndërkombëtarë.

“Institucionet e vendit dhe mekanizmat e sigurisë, kanë kryer dhe janë duke kryer një punë të shkëlqyeshme”- u shpreh Thaçi.

Sipas tij, “në Kosovë nuk do të ketë vend për ekstremizëm, nuk do të ketë vend për radikalizëm dhe terrorizëm. Kosova është vend i lirë dhe i pavarur. Është vend i shoqërisë me orientim euroatlantik, që do të anëtarësohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kosova është vend i ri evropian, i cili do ta vazhdojë betejën për të mirën dhe kundër së keqes, në marrëdhënie të përjetshme, të mira me SHBA-në”- ka theksuar mes tjerash Thaçi.