Maqedoni

Talat Xhaferi jep dëshmi për zgjedhjen e tij si kryetar kuvendi

04.12.2018 11:43

Në Prokurorinë për Krim të Organizuar dëshmoi kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi....

Në Prokurorinë për Krim të Organizuar dëshmoi kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, për zgjedhjen e tij në postin e kryeparlamentarit më 27 prill të vitit të kaluar. Xhaferi nuk komentoi asgjë në lidhje me lëndën dhe procedurën e ngritur të një shoqate nga Manastiri, e cila kërkon hetime për mënyrën e zgjidhjes së tij, por tha se do të respektojë  procedurat dhe se përgjigje do të duhet t’i japë organi ndjekës. 
 
“Unë  isha si Talat Xhaferi i ftuar nga Prokuroria të kryej  obligimin tim ndaj institucionit përkatës për çështjen për të cilën kam qenë i ftuar dhe çfarë do qoftë që do të kërkojnë, është procedurë",- u shpreh kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
 
“Shoqata mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është puna ime unë t’i komentoj akuzat e tyre”,- u shpreh më pas Xhaferi. 
                                                                            
Padia Penale e shoqatës së Manastirit është ngritur kundër të gjithë deputetëve të cilët votuan pro zgjedhjes së Xhaferit për kryeparlamentar, ndërsa për të njëjtën punë dëshmi dhanë edhe deputetët, Ferid Muhiq dhe Goran Misovski. Xhaferi në postin e kryeparlamentarit është zgjedhur në mënyrë ligjore dhe se nuk ka asgjë kontestuese në këtë drejtim, theksoi deputeti Mososki.                                                              
“Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, është zgjedhur në mënyrë ligjore me votat e 61 deputetëve dhe për këtë arsye mendoj se nuk ka asnjë bazë për procesimin e mëtejshëm të kësaj padie penale. Supozoj se kjo shoqatë e Manastirit ka ngritur këtë padi me dëshirë të një partie politike”,- tha deputeti i koalicionit të LSDM-së, Goran Misoski.
 
Në ndërkohë, në gjykatë vazhdoi gjykimi për dhunën e ushtruar në Kuvend më 27 prill. I akuzuari, Igor Jug, mohon të ketë pasur lidhje me dhunën e ushtruar në Kuvend dhe tha se thirrjet telefonike që ka pasur nga të akuzuarit e tjerë në këtë rast, kanë qenë kryekëput për kujdesjen e qenve të tyre dhe për vendosjen e tendave para Kuvendit. Ai tha se natën e 27 prillit në Kuvend ka dalë të protestojë duke u bazuar në thirrjet publike të disa individëve për të mbrojtur shtetin. 
 
“Thirrjet e humbura që kam pasur atë ditë nga Ninxha dhe Jane Çento ishin për qentë e tyre të cilët ishin nën kujdesjen time. Unë jam i papunësuar, ndërsa gjatë gjithë kohës së lirë merrem me ruajtjen dhe stërvitjen e qenve”,- tha ai në gjykatë.
 
Jug tha se prej orës 18 natën e 27 prillit ka qenë para godinës së Kuvendit, në orën 20 nuk iu kujtua se ku ka qenë brenda ose jashtë Kuvendit, por iu kujtua që bisedën telefonike që ka pasur me të akuzuarin, Nikolla Mitrevski – Kolo, ka qenë për vendosjen e tendave para Kuvendit. 
 
Dëshmi dha edhe i akuzuari tjetër, Vllatko Trajkovski, i cili zgjodhi të flasë për të gjitha ndodhitë në jetën e tij. 
 
REXHEP QAMILI