Botë

Autoritetet kosovare, të vendosur për taksën 100% dhe ushtrinë

04.12.2018 16:25

Zyrtarët në Kosovë mbeten të palëkundur në vendosmërinë për taksën prej 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina si dhe për themelimin e Ushtrisë së Kosovës....

Vendosmërinë për mosheqjen e taksës deri sa Serbia ta njoh Kosovën, kryeministri, Ramush Haradinaj, dhe zyrtarët tjerë e përsëritën edhe në takimin me eurokomisarin, Johanes Han. Ndërsa Kryesia e Kuvendit të Kosovës tanimë ka marrë vendim që më 14 dhjetor të mbahet seanca ku në rend dite do të jetë projektligji që do mundësojë transformimin e FSK-së në ushtri.
 
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, të mërkurën do të udhëtojë për në Uashington, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë amerikanë, mes tjerash do të bisedojë edhe për themelimin e ushtrisë. Por, këto hapa të autoriteteve të shtetit të Kosovës nuk po i pëlqejnë Beogradit zyrtar.
 
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ambasadorin amerikan në Serbi, Kyle Scott, të cilit i ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përdorin ndikimin politik dhe ta paralajmërojë Kosovën pasi, sipas presidentit serb, lëvizjet e saj kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon. 
 
“Është plotësisht e qartë se paralajmërimi i formimit të ushtrisë dhe insistimi për taksën prej 100% për mallrat nga Serbia qendrore kanë për qëllim largimin e popullit serb nga Kosova, pasi i pamundësohet ekzistenca. Sjellja e tillë e papërgjegjshme e Prishtinës mund të sjellë deri te katastrofa, sepse Serbia nuk mundet dhe nuk dëshiron që qetësisht ta shoh shkatërrimin e popullit serb”,- citohet në komunikatën e presidencës serbe të ketë deklaruar Vuçiç. 
 
Presidenti serb ka takuar edhe ambasadorin rus, Aleksandar Çepurin, dhe atë kinez, Li Mançang, të cilëve u ka kërkuar ta njoftojnë Moskën dhe Pekinin me zhvillimet në Kosovë. Ambasadori rus citohet të ketë deklaruar se Moska zyrtare me vëmendje po i ndjek zhvillimet në Kosovë.
 
“Çështja e Kosovës është problem që po zgjat për të cilin duhet gjetur zgjidhje të arsyeshme, me interes për të gjithë”,- ka thënë Çepurin. Derisa ambasadori kinez ka përsëritur qëndrimin se për Kinën Kosova është pjesë e Serbisë.  
 
GYLTENE SINANI