Maqedoni
Zhbogar: Të rinjtë nuk shohin ardhmëri në Maqedoni
04.12.2018 16:46
Të rinjtë e Maqedonisë nuk e shohin të ardhmen e tyre në vend....

Në mungesë të perspektivës, ata vendosin të migrojnë, tha ambasadori i BE-së, Samoel Zhbogar, në takimin me studentët e UT-së. Sipas tij, BE-ja dhe Qeveria e Maqedonisë janë duke punuar që ky fenomen të ndalohet dhe qytetarëve t'ju sigurohen këtu kushte për jetë.
“Të rinjtë nuk shohin kurrfarë ardhmërie në vend, pikërisht edhe për atë e lëshojnë vendin. Ne si Bashkim Evropian së bashku me qeverinë, jemi duke bërë një bashkëpunim dhe munduar që të krijojmë ardhmëri për të rinjtë që të mbesin në vendin e tyre. Kjo mund të bëhet, kuptohet me implementimin apo realizimin e reformave të cilat do të sjellin ndryshimin e nevojshëm me qëllim që t’i mbajnë njerëzit dhe të rinjtë që të mbesin në vendin tuaj. Nëse ata shohin perspektivë në vendin e vet, ata nuk do ta ndjejnë nevojën që ta lëshojnë vendin. Shpresojmë se me hapjen e mundshme të negociatave për anëtarësim, të rinjtë do të mund të shohin ardhmërinë përsëri në vend. BE i kushton vëmendje të madhe të rinjve këtu, prandaj 30% e fondeve të Bashkimit Evropian që janë për bujqësinë pikërisht si target kanë të rinjtë”,- u shpreh ambasadori i BE-së, Samoel Zhbogar.
Ndërkohë, studentët shpresojnë se me anëtarësimin e vendit në BE do të rriten mundësitë e punësimit.
Rektori i UT-së, Vullnet Ameti, u shpreh se duhet të jemi këmbëngulës dhe të punojmë që një ditë edhe vendi ynë të bëhet anëtare e BE-së.
“Ky projekt që realizohet mes universiteti tonë dhe Ambasadës së BE-së, është projekt që ka hapur fushatën për të informuar opinionin e gjerë që të jenë më optimistë rreth proceseve që kalon vendin ynë. Kështu që ne të gjithë së bashku mundemi dhe do të jemi këmbëngulës dhe shumë optimistë që edhe ne një ditë të jemi anëtare e BE”,- u shpreh rektori i UT-së, Vullnet Ameti.
Këto porosi u dhanë gjatë debatit me studentët e UT-së me temë “Vizioni i të rinjve për BE-në”.
VISAR SADIKI
