Maqedoni
Reformat në media, ShGM: qeveria t’i fusë në planin 18
04.12.2018 17:05
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka apeluar që Qeveria seriozisht të përkushtohet në përmbushjen e premtimeve të dhëna para komunitetit mediatik...

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka apeluar që Qeveria seriozisht të përkushtohet në përmbushjen e premtimeve të dhëna para komunitetit mediatik dhe t’i kthejë reformat për media në planin 18.
“Kërkojmë nga Qeveria t’i kthejë reformat për media në planin 18 dhe seriozisht të përkushtohet në përmbushjen e premtimeve të dhëna para bashkësisë mediatike dhe Këshillit të Evropës për Kodin Zgjedhor, i cili verës u ndryshua dhe plotësua pa debate dhe në mënyrë jotransparente”,- thuhet në kumtesën e ShGM-së.
Sipas tyre, shpjegimi i Qeverisë se reformat mediatike nuk janë të përfshira në planin për reforma sepse ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele kanë kaluar procedurën qeveritare, është i papranueshëm. Miratimi i Ligjit për ShMAA-në në Kuvend është obligim i përbashkët i Qeverisë dhe i shumicës parlamentare.
Ndërkohë, sipas ShGM-së, dhënia e mundësisë që me para publike të financohet propaganda politike e partive në media gjatë kohës së fushatës zgjedhore, paraqet vazhdim të praktikave sikur në kohën e regjimit të kaluar.
“Mundësia ligjore e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për të ndjekur mënyrën e raportimit në mediat online gjatë kohës së fushatаvе zgjedhore është absolutisht e pazbatueshme dhe është në kundërshtim me standardet dhe praktikat evropiane, që mund të ketë pasoja serioze mbi lirinë e mediave”,- thonë nga ShGM.
Siç thuhet në kumtesë të ShGM-së, ngec edhe realizimi i vullnetit për të luftuar politikat e mosndëshkimit të dhunës ndaj gazetarëve.
“Rikujtojmë Qeverinë se vullneti i saj politik të luftojë kundër politikës së mosndëshkimit të dhunës mbi gazetarët është i parealizuar. Nga gjithsej 59 sulme mbi gazetarët në pesë vitet e fundit vetëm në dy raste janë dënuar sulmuesit, ndërsa rastet tjera janë të pahetuara, ose janë vetëm pjesërisht të hetuara”,- thuhet në fund të reagimit të ShGM-së.
NAIM RAMADANI
