Maqedoni

Debat “A do t’i zgjidhin reformat sfidat në gjyqësor?

04.12.2018 17:18

Proceset dhe kompromiset politike, ndërhyrja e politikës në gjyqësi, mosefikasiteti në punën e Institucioneve...

Proceset dhe kompromiset politike, ndërhyrja e politikës në gjyqësi, mosefikasiteti në punën e Institucioneve të gjyqësisë kanë barë që qytetarët e vendit ta humbin besimin ndaj gjyqësorit në vend.
 
Ky është konstatimi i debatit me temë “A do t’i zgjidhin reformat e reja, sfidat e vjetra në gjyqësor”, i cili u realizua nga Instituti për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ambasadën Britanike në Shkup.           
                            
“Është shumë e vërtetë që mosbesimi i qytetarëve po rritet dhe ky mosbesim po rritet si rezultat i ndodhive të tërësishme të cilat po ndodhin në vend, por edhe për shkak se vendi nuk ka një proces ku do të notohet puna e punonjësve në gjyqësi. Por, në këtë përshtypje të përgjithshme të qytetarëve, po ashtu ndikon edhe mosinformimi adekuat për proceset gjyqësore”,- tha kryetarja e INDNJ, Margarita Caca Nikollovska.
 
Gjyqtari, Xhemali Saiti, pohoi se gjyqësori dhe vendimet e gjyqtarëve vazhdimisht janë nën vertingun e opinionit dhe jo rrallë herë të njëjtat shkaktojnë pakënaqësi ose hapin temë për debat.  
 
“Mendoj se gjatë marrjes së vendimeve tona personale të gjykatësve bëjmë një verifikim të punës sonë të përditshme dhe mendoj se në këtë mënyrë do të mundohemi të bëjmë një verifikim të përgjithshëm se në çfarë gjendje ndodhet gjyqësori në Republikën e Maqedonisë”,- theksoi gjyqtari në Gjykatën Supreme, Xhemali Saiti. 
 
Ndërsa kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski, shprehu pakënaqësinë e punonjësve të gjyqësorit me mënyrën e shkarkimit të anëtarëve në Këshillin Gjyqësor, dhe shtoi se në këtë mënyrë do të duhet të gjendet një metodë më e mirë për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.       
                                    
“Nga 520 gjykatës, vetëm 25 prej tyre kanë të drejtë të ngritin procedurë për shkarkim të një anëtari të Këshillit Gjyqësor, kjo metodë është joefikase dhe nuk mund të pranohet si e drejtë, sepse këtu bëhet presioni i zgjidhjes së tyre. Amendamenti 28 i Kushtetutës së Maqedonisë qartë thotë se mandati i një anëtari të Këshillit Gjyqësor është 6 vite, me të drejtë të një rizgjedhjeje, atëherë zgjidhja më e mirë do të ishte që së paku këta anëtarë të kenë të drejtë ta shkarkojnë atë që e kanë emëruar”,- u shpreh kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karagjovski. 
                                                                     
Të gjithë panelistët në këtë debat njëzëri konstatuan se Maqedonia tanimë kur pritet t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në BE, do të duhet t’u kyçet reformave të nevojshme në gjyqësor dhe përvojat e shteteve më të zhvilluara të inkorporohen në ligjet e vendit.      
 
FITIM KRYEZIU