Maqedoni
Samiti i nismës së Evropës qendrore; Han: s’është vetëm emri, keni dhe reformat; Zaev: kemi nota pozitive, të zbatojmë reformat
04.12.2018 17:43
Maqedonia merr vlerësime pozitive në Samitin e vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore...

Maqedonia merr vlerësime pozitive në Samitin e vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore, sa i takon marrëdhënieve me fqinjët dhe zbatimit të reformave.
Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit kushtetues mbetet çështja kyçe por jo edhe çështja e vetme për të hapëruar drejt NATO-s dhe BE-së.
Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, përtej vlerësimeve pozitive për zhvillimet në vend, rikujtoi nevojën për përpjekje shtesë në zbatimin e reformave të nevojshme për funksionimin e shtetit ligjor.
“Çështja e emrit është e rëndësishme, përkatësisht zgjidhja e gjithë kësaj në Shkup dhe në Greqi. Unë jam shumë optimist për të gjitha zhvillimet, por ajo që nuk duhet harruar është se kjo është vetëm një çështje. Ka edhe shumë çështje të tjera ku duhet përpjekje për reforma, për shtet ligjor dhe gjyqësi të cilat janë kruciale për të marrë dritë të gjelbër nga vendet anëtare, nga mesi i vitit tjetër”,- tha komisioneri për zgjerim, Johanes Han.
Proceset po zhvillohen mirë, thotë kryeministri, Zoran Zaev, i cili ka shfrytëzuar rastin për të kërkuar mbështetje për anëtarësimin e vendit në NATO dhe në BE.
“Eurokomisari Han është njohës i mirë i zhvillimeve në rajon, gjithsesi edhe në Maqedoni. Jep mbështetje dhe flet në superlativ. Unë këtë e kuptoj si motivim dhe detyrim për të gjithë ne në RM që të bëjmë punën në pjesën e reformave dhe atë në pjesën e proceseve politike, por njëkohësisht duhet ta dimë se nëse kemi rezultate, mund të presim që qasja e këtillë të vazhdojë. Shfrytëzoj çdo rast që të motivoj institucionet që të zbatojnë të gjitha reformat”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Reformat në gjyqësi, ato në shërbimet e sigurisë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe reforma në administratë publike dhe në media pritet të rregullohen me ligj brenda pak muajsh.
Sa i takon rastit Gruevski, Zaev tha se gjatë Samitit ka takuar kalimthi kryeministrin hungarez, Viktor Orban, por nuk kanë pasur mundësi që ta bisedojnë çështje e azilit dhe ekstradimit të Gruevskit.
SHPËTIM NUREDINI
