Maqedoni

Ngrohtorja “Shkup Veri”, sonte do të ketë ngrohje në Çair dhe Butel

04.12.2018 18:21

Ngrohtorja “Shkup Veri” bën të ditur se janë zgjidhur mospajtimet me kompaninë “Makpetrol prom gas”...

Ngrohtorja “Shkup Veri” bën të ditur se janë zgjidhur mospajtimet me kompaninë “Makpetrol prom gas”, prandaj amvisërive, shkollave, çerdheve, ambulancave dhe spitaleve të komunës së Çairit dhe Butelit sot prej orës 17 u është siguruar ngrohja.
 
Drejtori i Ngrohtores “Shkup Veri”, Igor Popovski, siguroi se prej nesër shkollat dhe çerdhet në Çair dhe Butel do të kenë ngrohje që nxënësit të mund të vijojnë mësimin.                                                                                                                                                                                                            
“Mjetet financiare janë siguruar. Menjëherë do të bëhet transferi i parave dhe kur “Makpetrol” të lëshojë gazin, ngrohja do të funksionojë dhe më problem nuk do të ketë”,- u shprehën nga Ngrohtorja “Shkup-Veri”.
 
Shkollat fillore “Ismail Qemali”, “Vasil Gllavinov” dhe “7 Marsi” në Çair dhe shkolla “Penko” në komunën e Butelit, ishin detyruar që të hënën dhe të martën të mos zhvillojnë mësim për shkak se nuk kishin ngrohje. Por, pas njoftimit për zgjidhjen e këtij problemi, shkollat kanë njoftuar se nesër do të zhvillohet mësimi. 
 
“Të nderuar prindër dhe nxënës, ju njoftojmë se është zgjedhur problemi që kishim me ngrohjen qendrore. Nga dita e mërkurë, procesi edukativo - arsimor në shkollën tonë do të vazhdojë në kushte normale”,- shkruan drejtori i Shkollës Fillore “Penko”, Enis Mehmeti. 
 
Qytetarët nga ana tjetër kërkojnë përgjegjësi për atë se në këto ditë me temperaturë të ulëta amvisëritë dhe shkollat u lanë pa ngrohje.     
                                      
“Tash jemi në stinën e dimrit kjo nuk është normale që dy ditë shkolla nuk ka ngrohje a fëmijët po humbin që nuk punojnë shkollat. Edhe ambulanca nuk ka ngrohja, unë këtu afër jetoj. Ky problem duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, po ne këtu gjithmonë kemi probleme me ngrohjen, me rrymën nëpër ndërtesa, gjithmonë ndodhin këto gjëra”,- u shpreh një qytetar.  
 
“Jo nuk ka shkuar në shkollë nipi, ai më tha që nuk jemi në shkollë se nuk kemi ngrohje. Po edhe ne si prindër mundemi ta sigurojmë ngrohjen nëse komuna ose shteti nuk ka të holla, do të investojmë që fëmijët të jenë në arsim”,- tha një qytetar.  
 
“Kjo punë është e komunës e cila nuk reagon fare as për amvisëritë e as për shkollat. Kjo është turp, vetëm në Shkup ndodh kjo që të mos kemi ngrohje”,- theksoi një qytetar.  
 
“Unë jam shkyçur nga ngrohja qendrore për arsye se është shumë shtrenjtë. Unë kam paguar fatura shumë të larta, 5000 - 6000 denarë”,- theksoi një qytetar.                                                                                                            
Shfrytëzuesit e shërbimeve të ngrohtores “Shkup Veri” prej tre ditësh kishin mbetur pa ngrohje për shkak se ngrohtorja nuk kishte mjete financiare për t’i paguar shërbimet e kompanisë “Makpetrol Prom – gaz”, përkatësisht sjelljen e gazit. 
 
REJHANE BUSHI METAJ