Maqedoni

Samiti i NATO-s, Stoltenberg: mirëpresim progresin e Shkupit

04.12.2018 18:38

Brukseli ka mbledhur të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s...

Brukseli ka mbledhur të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ato aspirate si dhe vendet partnere të saj, për të diskutuar për tema të ndryshme, sidomos për çështjen e sigurisë në aspekt global.
 
Gjithsesi, në takimin ministror është diskutuar edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e tyre në aleancën veri-atlantike. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, para se të fillojë takimi deklaroi se NATO-ja mirëpret progresin dhe reformat që ka realizuar Shkupi zyrtar në drejtim të integrimit të Maqedonisë në paktin veri-atlantik. 
 
“Ne do të diskutojmë gjithashtu Ballkanin Perëndimor. Mirëpresim  progresin që ka bërë Shkupi në drejtim të anëtarësimit të plotë në NATO”,- u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Raporti i NATO-s me vendet aspirate do të diskutohet në veçanti, me çka   përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Federica Mogherini, do të flasë për progresin e Maqedonisë dhe vendeve tjera nga Ballkani Perëndimor.
 
Në kuadër të këtij takimi, në Bruksel po qëndron edhe ministri i jashtëm, Dimitrov, i cili ka shfrytëzuar rastin për takime bilaterale me zyrtarët e  Brukselit  dhe homologët e tij, ku kryesisht është diskutuar për çështjet aktuale të ndërlidhura me procesin eurointegrues.
 
Në ditën e parë dhe të dytë të samitit të NATO-s është diskutuar më tepër për sigurinë e Gjeorgjisë dhe Ukrainës dhe presionin rus ndaj tyre, sigurinë në Lindjen e Mesme si dhe për misionin e NATO-s dhe partnerëve të saj në Afganistan dhe vende të tjera.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU